Historiku i zhvillimit të bizneseve në Kosovë
Shkruar nga Lulzim A. Beqiri
Zhvillimi i biznesit të vogël në Kosovë është elementi thelbësor i zhvillimit të ekonomisë kombëtare dhe kontribuon në rritjen e punësimit, dhe sigurimit të ekzistencës, mirëqenies ekonomike e sociale të familjeve kosovare.
Një dinamikë më e madhe e regjistrimit të bizneseve të reja haset në tre vjetët e para të fillimeve të viteve të nëntëdhjeta dhe në periudhën e pasluftës, që është reflektim i ndryshimit të ambientit të biznesit në periudhat përkatëse.
Ecuria ekonomike e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, gjatë periudhës së viteve 1913-1914, për shkak të zhvillimeve politike specifike, mund të ndiqet në disa etapa. Kështu në etapën e parë 1913-1915 rajoni njohu vetëm shkatërrim, grabitje dhe shpërngulje të popullsisë shqiptare, për pasojë ekonomia pësoi rënie.
Në vitet 1925 - 1949 ngritja ishte shumë e ngadalshme, në vitet e 40-ta Kosova numëronte rreth 4 mijë dyqane zejtare, ku ishin të aktivizuar 13-14 mijë vetë. Gjithashtu edhe periudhat tjera kohore nuk ishin të lehta për Kosovën.
Ndërsa në periudhat e mëvonshme ekonomia private në Kosovë filloi të zhvillohet në pjesën e dytë të viteve të 90-ta të shekullit XX. Pas një zhvillimi të hovshëm ndërmjet viteve 1985-1990, fillon të bie shkalla e zhvillimit të biznesit privat, dhe atë kryesisht për shkak të instalimit të pushtetit represiv serb në Kosovë në vitin 1989/1990. Kjo rënie vazhdon edhe në periudhën 1991-1995.( Verli Marenglen)
Vërejmë se në periudhën 1985-1990 ishin regjistruar 166 ndërmarrje nga numri total i ndërmarrjeve të anketuara, ndërsa në periudhën 1991-1995 numri i ndërmarrjeve të regjistruara bie në 122, apo për 7.4% më pak se në periudhën paraprake. Në periudhën kohore 1996-1998 numri i ndërmarrjeve të regjistruara ishte vetëm 22, përkatësisht 16.6% më pak se në periudhën 1991-1995.
Ekonomia e Kosovës në periudhën 1990-1994 realizoi një normë negative të produktit shoqëror por edhe të gjithë treguesit makroekonomikë, thënë shkurt, ekonomia e Kosovës pas viteve të 90-ta karakterizohet nga parametra negativë.
Një rënie e tillë kulmon me kolapsin e plotë të ekonomisë private në Kosovë në periudhën 1996-1998 (periudha e luftës), kur shumica e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme falimentojnë dhe shuhen, kurse themelimi i ndërmarrjeve të reja gati bie në zero.
Në periudhën e pasluftës ekonomia private, përkatësisht biznesi i vogël dhe i mesëm në Kosovë po shënojnë një zhvillim ekspansiv dhe atë si në aspektin kuantitativ ashtu edhe në aspektin kualitativ.
Ekonomia e Kosovës përbën një ekonomi të re dhe dinamike
Baza e saj është transformuar nga një ekonomi centraliste e dirigjuar, në një ekonomi të hapur të tregut. Qëllim në vete tashmë është rritja e konkurrencës së kësaj ekonomie, duke rritur kapacitetin e saj ekspo-rtues për të zvogëluar deficitin tregtar që aktualisht ka Kosova.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të bizneseve, tregon se në vitin 2001 kemi pasur një regjistrim të bizneseve në total prej 10530. Ndërsa në vitin 2002 vërehet një rritje e regjistrimit që kap shifrën prej 14318 biznese të reja dhe në këto vite kemi vetëm dy shuarje te bizneseve.
Sa i përket vitit 2003, në raport me vitet paraprake kemi një rënie të regjistrimit të numrit të bizneseve për shkak se atë vit është bërë regjistrimi i bizneseve nga të përkohshmet në të përhershme dhe ndërrimi i certifikatave nga ato të përkohshme në ato të përhershme ka bërë që edhe regjistrimi i bizneseve të reja të bije, ku janë regjistrime të reja gjithsej 2160 biznese.
Pastaj në vitin 2004 sërish fillon një lindje-rritje e dukshme e numrit të bizneseve të reja, ku janë të regjistruara 6460 biznese të reja. Derisa vërejmë se në tri vitet e fundit kemi një numër përafërsisht të njëjtë të regjistrimeve të bizneseve të reja dhe ai numër u rrit vazhdimisht ku numri total i bizneseve të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve është mbi 103755 biznese në fund të vitit 2010, që krahasuar me vitin paraprak ky numër është më i madh për 6398 biznese. Pra gjatë vitit 2013 janë regjistruar gjithsejt 9421 biznese të reja.
Nga numri total i ndërmarrjeve vërehet se aktivitet ekonomike më të preferuara janë: tregtia me 33826 ndërmarrje (45,4%), transporti dhe telekomunikacioni me 9641 (12.95%), hotelet dhe restorantet me 7230 (9.7%), industria përpunuese 6976 (9.4%), ndërtimtaria me 4418 (5.9%), aktivitetet tjera shoqërore (sociale) dhe personale 4121 (5.5%), pasuria e patundshme dhe dhënia me qira me 3788 (5.1%) dhe aktivitetet tjera përfshijnë pjesën e mbetur në shkallë më të vogël.