Gjyqtarët dhe prokurorët të vihen në shërbim të qytetarëve
Shkruar nga Margarita Kadriu
Me Kushtetutë, Republika e Kosovës garanton shtetin e së drejtës, por mungesa e sundimit të ligjit e ka bërë vendin tonë simbol të padrejtësive. Sipas vlerësimeve të Avokatit të Popullit, pjesa dërrmuese e shkeljeve bëhen nga institucionet e shtetit, ku lidere e të këqijave është vetë Qeveria e pasuar nga organet e tjera.
Besimi në sistemin e drejtësisë, në bazë të të gjitha sondazheve serioze që janë bërë vit pas viti, është në nivele minimale.
Qytetarët janë të dëshpëruar me mënyrën se si ndahet drejtësia nga një sistem i tërë gjyqësor dhe prokurorial, që nuk po arrin të pavarësohet nga ndikimet e interferimet, sikur edhe nuk po arrin të zbatojë ligjin dhe të vihet në shërbim të interesit publik.
Gjyqtarët si gardianë të ligjit dhe të drejtave të njeriut, në vend që të kryejnë punën e tyre me nder, devotshmëri e përkushtim, ashtu siç e parashohin normat juridike në fuqi, e kanë huqur misionin e tyre ligjor.
Në vend që të ndajnë drejtësi, sot ata edhe shesin procese gjyqësore dhe trafikojnë drejtësi.
Kjo është e pafalshme për një vend që aspiron të jetë një ditë pjesë e familjes evropiane, ku parimi i ndarjes së tri pushteteve kryesore, legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, është i shenjtë.
Në Kosovë është iluzive të thuash se ky parim respektohet, pavarë- sisht se edhe ky garantohet me Kushtetutë.
Pushtetet formalisht janë të ndara, por praktikisht në vendin tonë është një grusht njerëzish të gjithëpushtetshëm, të cilët sundojnë gjithçka.
Ata kanë vendosur dhe vendosin edhe se kush do të bëhet gjykatës e kush prokuror, kush do të hetohet e kush do të amnistohet, kush do të prangoset e kush do t\'i shpëtojë drejtësisë.
Nuk është aspak e rastësishme që të ashtuquajturit \"peshqit e mëdhenj\", kurrë nuk dolën në bankën e të akuzuarve për korrupsion, zhvatje të parasë publike, abuzim me ligjin.
Atje e kanë burimin të gjitha të këqijat që e kanë përfshirë këtë vend, dhe veçmas e kanë mbërthyer drejtësinë.
Deri më sot në prokuroritë e Kosovës, edhe kur ka prova të mjaftueshme për të hetuar, shpesh ato shmangen ose shkatërrohen fare, sepse zakonisht pistat kryesore të hetimeve, të çojnë në strofullat partiake, klanore, tek oligarkët e Kosovës, që kontrollojnë dhe kanë blerë gjithçka-zyrtarë, drejtorë, doganierë, inspektorë, ekspertë, ministra, deputetë...
Ta marrim vetëm rastin e pasurimit të pajustifikueshëm të politikanëve dhe zyrtarëve të shtetit kosovarë.
Çka duhet të presë Prokuroria për të vepruar, për të hetuar origjinën e kësaj pasurie që vetëm me rroga shteti nuk bëhen dot.
Por, prokurorët nuk veprojnë, siç nuk veprojnë në raste skandaloze siç është është afera e grurit për kafshë, privatizimi i dyshuar për abuzime i Fabrikës së Amortizatorëve, \"falja\" e rrjetit të shpërndarjes e furnizimit të KEK-ut, etj, etj.
Lista është e gjatë, por zyrtarët e thirrur për të vendosur drejtësi, e bëjnë njërin sy qorr, e njërin vesh të shurdhër.
Është jetike që drejtësia të ndahet dhe të qëndrojë larg nga politika, për të garantuar që çdo abuzim me ligjin dhe fondet publike do të marrë ndëshkimin më të ashpër ligjor.
Nëse duam të bëjmë shtet të qëndrueshëm, nuk mund ta bëjmë duke e shkelur ligjin me të dy këmbët.
Fatkeqësisht, ata që e shkelin më së shumti janë edhe vetë gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët nuk po arrijnë të reformohen, të aftë- sohen, të vihen në shërbim të qytetarëve.
Është koha e fundit që sistemi i drejtësisë t\'i kthehet publikut e të mos shihet si një gogol.
Shteti duhet të garantojë financa dhe logjistikë të plotë për gjyqtarët dhe prokurorët e vërtetë, siguri të plotë dhe kushte pune maksimale për të gjithë ata gjyqtarë e prokurorë që zbatojnë ligjin me përpikëri, të cilët qëndrojnë lartë me etikën, moralin dhe integritetin profesional, dhe këta të fundit, duhet t\'u kthehen mijëra lëndëve që po u myken në sirtarë e t\'i lënë ligjëratat në kolegjet private dhe ato në universitete publike.
Le të arrijnë një herë ta bëjnë punën e vet si duhet, e pastaj kur të kenë çfarë t\'u thonë studentëve apo edhe dikujt tjetër, pse jo, të shkojnë të mbajnë edhe ndonjë ligjëratë suksesi në punët e gjyqtarit apo prokurorit.
(Autorja është deputete e pavarur në Kuvendin e Republikës së Kosovës)