06 Dhjetor 2024

Formimi i LPK-së 17 janar 1982

Shkruar nga Metush Zenuni

Për shkak të rrethanave të vështira të veprimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës, formimi i saj nuk ishte një akt i vendosur në një çast apo në një mbledhje të vetme, ose me një dokument të vetëm.

Formimi i LPK-së ishte një proces që u realizua pas shumë takimesh dhe veprimtarish paraprake.

Pas vitit 1981, mbi bazën e kërkesave që dolën nga demonstratat, të cilat patën jehonë në tërë botën, u dhanë mendime dhe ide për vazhdimin e organizuar të luftës.

Lëvizja alternative ilegale në Kosovë, në kuptimin e një veprimi për ndryshimin e gjendjes politike, ka ekzistuar shumë kohë më parë, madje edhe atëherë kur nuk kishte asnjë organizatë apo grupim politik, duke përfshirë edhe LPRK-në.

LPK përfaqëson të parën “Lëvizje politike alternative” të organizuar mbi baza programi dhe synimesh.

Ajo ka marrë mbi vete lavdinë e atdhetarëve, pa përjashtuar edhe dyshimet e atdhetarëve, siç ishte spekulimi me të ashtuquajturin “orientim marksist –leninist” të kësaj Lëvizje83.

Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës - LPRK, lindi në një kohë kur gati gjysma e botës ishte komuniste, si lëvizje alternative, e cila kishte orientim politik të ngjashëm me partinë në pushtet në shtetin Shqiptar, ndërsa ishte kundër sistemit administrativ Jugosllav dhe qëllim të fundit kishte bashkimin e Kosovës me shtetin Shqiptar.

Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, është vazhdim i drejtpërdrejtë i platformës që shtrohet në “Tezat rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovësʺ85 të përpiluara nga Komiteti Drejtues i Organizatës Marksiste Leniniste e Kosovës – OMLK, në maj të vitit 1981, teza themelore që ishin të drejta dhe të qëndrueshme.

Sipas Tezave tê Komitetit Drejtues të OMLK-së, në pikën numër IV thuhet: Qëllimi i Frontit për Republikë është që Krahina e Kosovës të çlirohet nga sundimi i Serbisë dhe të fitojë statusin e Republikës brenda Federatës Jugosllave.

Kërkesa për Republikën e Kosovës është e drejtë dhe përkrahet nga i gjithë populli shqiptar.

Populli i Kosovës kurrë nuk ka vendosur për fatin e tij. Tokat e tij janë pushtuar me forcë dhe i janë aneksuar Serbisë. Në mbledhjen e AVNOJ-it nuk kishte asnjë delegat shqiptar.

Populli shqiptar jeton në tokën e tij, ku ka jetuar brez pas brezi. Populli shqiptar në Kosovë i ka të gjitha karakteristikat që përbëjnë një popull dhe një komb. Ai nuk është “pakicë kombëtare”, nuk është “kombësi” dhe as “popullsi” (narodnost), siç e kanë cilësuar revizionistët Jugosllavë. Ai përbën mbi 80% të popullsisë së përgjithshme të Kosovës.

Për nga numri i banorëve, Krahina e Kosovës është rreth tri herë më e madhe se Mali i Zi që është Republikë.

Kërkesa për Republikën e Kosovës është një e drejtë që buron edhe nga Kushtetuta e Jugosllavisë dhe një e drejtë që e gëzojnë popujt tjerë të këtij shteti.

Kërkesa për Republikën e Kosovës nuk është kërkesë për ndryshimin e kufijve në Jugosllavi e në Ballkan. Ajo nuk është në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara e vendimet e Helsinkit dhe nuk sjellë kurrfarë rreziku për paqe në Ballkan.

 Ndërsa në pikën pesë të Tezës së Frontit, ndër të tjera thuhej si vijon:

1. Për t`ia arritur këtij qëllimi, Fronti duhet të bashkojë në luftën për Republikë të gjitha masat popullore, punëtorët, fshatarët, zejtarët, gratë, rininë, inteligjencën revolucionare dhe elementë përparimtarë nga radhët e ndryshme të borgjezisë, të gjithë komunistët, patriotët dhe revolucionarët e vërtetë, pavarësisht nga bindjet politike, dallimet klasore, fetare e krahinore.

2. Në Frontin për Republikën, mund të bëjnë pjesë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës, në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, në vise tjera të Jugosllavisë apo kudo tjetër në botë. Fronti do të luftojë për të drejtat e gjithë shqiptarëve në Jugosllavi.

3. Në Frontin për Republikë, nuk mund të bëjnë pjesë grupet dhe organizatat Fashiste e Terroriste dhe agjentura të ndryshme që organizon reaksioni i jashtëm dhe ai i brendshëm.

Rol të rëndësishëm në zhvillimet politike atdhetar në Kosovë në vitet 1974-1981, luajtën atdhetarët revolucionarë, intelektualët e gazetarët si: Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Jakup Krasiqi, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Nezir Myrtaj, Jusuf Gërvalla, Ibrahim Kelemendi, Fazli Veliu, vëllezërit Mustafë dhe Emrush Xhemajli, Zija Shemsiu, Ilmi Ramadani, Enver Topalli, Ali Ahmeti, Xhabir Morina, Fehmi Lladrovci, Jashar Salihu, Shaban Shala, e shumë të tjerë, të cilët ishin vazhdimësi e punës dhe luftës së LRBSH-së së Adem Demaçit, Ramadan Shalës, Xajë Nurës, Smajl Haradinaj, Hasan Ukëhaxhaj, Kadri Dush Kusarit, Rafi Halili, Ahmet Haxhiut, Metush Krasniqit, Kadri Osmanit, Zaim Beqiri, Kadri Labënishti, e një plejade të tërë atdhetarësh të përkushtuar për liri dhe të drejta të barabarta të popullit shqiptar në ish-Jugosllavi.

Një pjesë e madhe e këtyre veprimtarëve të Lëvizjes, duke qenë të përndjekur nga regjimi Jugosllav, u strehuan për kohë të shkurtër dhe në periudha të ndryshme në Gjermani, e veçanërisht në Zvicër, të cilët sidomos që nga viti 1980 në Biel Biene të Zvicrës kishin formuar bërthamën organizative të atdhetarëve në Zvicër.

Në Gjermani vepronin Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, madje që nga vitet ’70-ta në Gjermani vepronte edhe veprimtari i çështjes kombëtare, Ibrahim Kelmendi87, i cili nga viti 1979 - 1980 nxori disa numra të gazetës “Bashkimi” dhe kishte një rrjet të organizuar të veprimtarëve me mërgimtarët punëtorë në Kosovë dhe jashtë vendit që përbënin “Frontin e Kuq Popullorʺ89.

Në kohën ku Kosova vlonte nga arrestimet, gjykimet dhe dhuna e terrori serb, që ushtrohej mbi shqiptarët, Jusuf Gërvalla, i cili përfaqësonte LNCKVSHJ-në, Kadri Zeka që përfaqësonte OMLK-në, Ibrahim Kelmendi që përfaqësonte Frontin e Kuq Popullorë -FKP, por edhe shumë bashkëmendimtarët tjerë, bënin përpjekje që organizatat që vepronin jashtë vendit të bashkohen në një të vetme.

Të përndjekur nga pushtuesi serb, Jusufi ishte detyruar të shkonte në Gjermani, ndërsa Kadri Zeka në Zvicër, ku kishin filluar t’i lidhnin fijet e këputura të Lëvizjes Ilegale në Kosovë dhe të mërgatës. Ata arritën t’i bashkonin grupet e ndryshme duke vepruar në emër të mërgatës shqiptare.

Në gjirin e kësaj lëvizjeje ishin përfshirë qindra punëtorë atdhetarë nga të gjitha shtetet e Evropës dhe nga të gjitha viset shqiptare në Jugosllavi91. Vetëm dhjetë ditë pas demonstratave popullore të 1 e 2 prillit 1981 në Prishtinë, Kadri Zeka, pasi ishte konsultuar me shokë brenda vendit, nga Zvicra kishte shkuar në Gjermani dhe ishte konsultuar me Jusuf Gërvallën dhe Ibrahim Kelmendin, lidhur me organizimin e demonstratës së parë më 11 prill 1981 në Bern.

Pasi kishte marrë mendimin dhe miratimin e tyre, Kadri Zeka me Hasan Malën, Kadri Abdullahun, Zija Shemsiun dhe shumë veprimtarë tjerë në Zurich, St. Gallen, Bern, Fribourg, Gjenevë, Basel dhe Bulle, formuan rrethe të organizuara patriotësh për të dalë në përkrahje të demonstratave të studentëve.

Kështu me nismën e Kadri Zekës dhe përkrahjen e veprimtarëve të dalluar që vepronin në atë kohë në Zvicër më 11 prill 1981, në Bern, u organizua demonstrata e parë e mërgimtarëve shqiptarë që vepronin në shtetet perëndimore. Fill pas demonstratave të 11 marsit në Prishtinë, në Gjermani u thirr një takim urgjent i prirë nga Jusuf Gërvalla.

Takimi ishte caktuar në Sindelfingen, ditën e shtunë, më 14 mars 1981. Data dhe vendi i mbajtjes së demonstratës kundër Jugosllavisë ishte caktuar dita e shtunë, 11 prill 1981, në kryeqytetin e Zvicrës, Bernë. Demonstrata ishte organizuar nga Kadri Zeka.

Nën shkëlqimin e flamujve dhe të parullave që i bartnin pjesëmarrësit në dorë, turma brohoriste parulla me kërkesa politike, si: “Kosova Republikë”, “Studentë, punëtorë, fshatarë, jemi një e të pandarë”, “Jemi shqiptarë dhe jo Jugosllavë”, “Lironi të burgosurit nga burgjet jugosllave”, “Poshtë fashizmi terrorist jugosllav”, “Lavdi Marksizmit-Leninizmit”, “Lavdi motrave dhe vëllezërve të cilët flijuan jetën e tyre për lirinë e atdheut”, “Kosova Republikë”, “Vetëvendosje”.

Demonstrata e 11 prillit 1981 në Bern, shënoi një kthesë të madhe në organizimin e mërgatës shqiptare në shtetet Euro-Perëndimore.

Kadri Zeka, paralelisht bënte shpërndarjen e disa broshurave që i kishte përkthyer nga gazetat që kishin shkruar për ngjarjet në Kosovë, si nga Süddeutsche Zeitung, Corriere della Sera, Le Quotidien de Paris, Der Tagesspiegel, Die Welt, Der Spiegel, Herald Tribune, Frankfurter Allgemeine Zeitung, Hüriet, Neue Zürcher Zeitung, Reuter, The Times, To Vima, etj.

Demonstrata e parë e gurbetqarëve shqiptar në Zvicër, 11 prill 1981 – BERN.

Në demonstratën e datës 11 prill 1981, para Ambasadës Jugosllave në Bern u grumbulluan mbi 400 shqiptarë të Kosovës dhe viseve tjera në ish - Jugosllavi, me flamuj e parulla të shkruara, duke shprehur solidaritetin e tyre me luftën e vëllezërve dhe motrave të tyre në Kosovë, por edhe duke shprehur mllefin dhe urrejtjen për pushtetin Titist.

Këto demonstrata dhe lufta e hapur e shqiptarëve në mërgim, demaskoi shpifjet e Konsullatave Jugosllave, të cilat dërgonin telegrame në emër të punëtorëve dhe mërgimtarëve të Kosovës, të cilët gjoja ishin kundër demonstratave në Kosovë.

Me këto demonstrata të mërgimtarëve shqiptar në shtetet perëndimore u solidarizuan edhe shumë miq të shqiptarëve në Zvicër, duke shprehur indinjatën e tyre për ngjarjet në Kosovë94. Menjëherë pas kësaj, pasuan edhe demonstratat tjera në: Zurich, Gjenevë, Shtutgard, Düseldorf, Frankfurt dhe Bruksel.

Me 18 prill 1981 u mbajt demonstrata në Zürich, nën organizimin dhe përkujdesjen e Kadri Zekës. Meqë Jusufi nuk kishte mundësi lëvizjesh jashtë shtetit Gjerman, ishte vendosur që më 2 maj 1981, të udhëtonte Kadriu në familjen Gërvalla në Gjermani95.

Nga përvoja e fituar u vendos që të vazhdohej organizimi i demonstratave edhe në qytete tjera të Gjermanisë, duke filluar në Dyseldorf, ku kishte shumë shqiptarë.

Klubi “Emin Duraku”, ku vepronte organizata e Ibrahim Kelmendit, e quajtur Fronti i Kuq Popullor – FKP, me një sukses të shkëlqyer dhe pa pasoja të mëvonshme, kishte arritur të shkëputej nga tutela e konsullatës jugosllave.

Në Demonstratën e 9 majit në Dyseldorf – Gjermani, Jusufi propozoi që gjatë demonstratave të këndohej kënga

“Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë,
Vraponi burra se s’ka me pritë,
Të vdesim sot me besa-besë,
Pranë flamurit të kuq q’u ngrit!”.

Përveç parullave të mëparshme, kësaj radhe u përdorën edhe disa të tjera, si: Republikë, kushtetutë, Ja me hatër, ja me luftë! Ushtonte sheshi nga parullat “Kosova Republikë”, “Studentë, punëtorë, fshatarë jemi një e të pa ndarë!”, “Jemi shqiptarë e jo jugosllavë!”, “Lironi të burgosurit nga burgjet jugosllave!”, “Poshtë fashizmi terrorist jugosllav!” etj. Para masës u shfaq Kadri Zeka, i shoqëruar nga Jusuf Gërvalla, Ibrahim Kelmendi dhe Bardhosh Gërvalla. Pastaj, Kadriu e lexoi referatin e tij tanimë të njohur nga demonstratat e mëparshme!

Të shtunën, më 23 maj 1981, ishte organizuar një demonstratë tjetër në Shtutgart, në “Königsplatz”. Numëroheshin mbi njëmijepesëqind pjesëmarrës.

Marshi filloi i qetë dhe nën valëvitjen e flamujve e parullave të shkruara jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhën gjermane, disa prej të cilave i kishte përgatitur Bardhosh Gërvalla, ndërsa një pjesë i kishte sjellë me vete Ibrahim Kelmendi.

Parullat ishin identike me ato të demonstratave të kaluara. Marshimi ishte i qetë dhe me brohoritjen e pareshtur të parullave.

Më 30 maj 1981, në demonstratën në Gjenevë, merrnin pjesë më shumë se 2.500 veta, duke përshkuar një pjesë të qytetit, në drejtim të selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Kësaj radhe kishin ardhur mërgimtarë nga shumë vende të Evropës, si nga Franca, Belgjika, Gjermania, Zvicra etj. Brohoritja e parullave ishte identike me ato të demonstratave të mëparshme. Gjatë gjithë marshimit u vërejtën shumë simpatizues dhe miq të popullit shqiptar që iu bashkuan protestës.

Demonstrata tjetër e suksesshme u mbajt më 30 qershor 1981, në Bruksel. Këtu kishte një numër të madh të mërgimtarëve të cilët kishin ardhur që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, por fatkeqësisht ata ishin të paorganizuar, të ndarë në shumë parti, e të përçarë ideologjikisht. Pas shpërndarjes së ftesës për demonstratë, ata kishin vendosur që nga tani e tutje t’i bashkohet Lëvizjes për Kosovën Republikë.

Veç këtyre, në Bruksel ishte edhe një mërgatë e dyfishtë shqiptare nga Turqia, e cila në periudha të ndryshme kohore, duke ikur nga reprezaljet serbe, së pari ishte shpërngulur nga viset shqiptare dhe ishte vendosur në Turqi, e pastaj nga aty kishte migruar në Belgjikë, për shkak të papunësisë, varfërisë dhe moskujdesit që shteti turk kishte treguar ndaj tyre. Kjo mërgatë kishte konfirmuar pjesëmarrjen në demonstratën e organizuar nga OMLK.

Mërgimtarë shqiptarë duke demonstruar rrugëve të Bernit, në prill të vitit 1981.

Me këto demonstrata, nisi të realizohej ideja e Kadri Zekës, për një organizim të pavarur nga ambasadat Jugosllave100. Demonstruesit me flamuj dhe parulla të ngritura rrugëve të qyteteve Evropiane, nën udhëheqjen e Kadri Zekës, para përfaqësisë diplomatike Jugosllave, shprehnin solidarizimin me luftën e vëllezërve e motrave të Kosovës.

Demonstratat e mars -prill 1981 në Kosovë, ndikuan në LNÇKVSHJ, e udhëhequr nga Jusuf Gërvalla, OMLK- në udhëhequr nga Kadri Zeka dhe Frontin e Kuq Popullor -FKP, e udhëhequr nga Ibrahim Kelmendi, që të bashkojnë veprimtarinë e tyre për organizimin e protestave dhe demonstratave të përbashkëta në shtetet perëndimore. Si rezultat i këtij bashkimi, gjatë vitit 1981, në shtete të ndryshme evropiane u organizuan këto demonstrata:

- Më 11 prill 1981, në Bern – Zvicër;
- Më 18 prill 1981, në Zürich - Zvicër;
- Më 25 prill 1981, në Shtutgard - Gjermani;
- Më 30 prill 1981, në Gjenevë - Zvicër;
- Më 08 maj 1981, në Düseldorf – Gjermani;
- Më 22 maj 1981, në Munich të Gjermanisë;
- Më 30 maj 1981, në Gjenevë -Zvicër;
- Më 20 qershor 1981, në Bruksel – Belgjikë;
- Më 04 korrik 1981, në Frankfurt - Gjermani.

Bashkimi i tri organizatave kryesore dhe i krerëve të tyre në mërgim, në organizimin e demonstratave të vitit 1981, ndikoi si sprovë e mirë për bisedimet e më vonshme të tyre në një organizim të përbashkët, i cili do të ndodhë në janarin e vitin 1982 në banesën e Jusuf Gërvallës në Gjermani.

Përveç solidarizimit me demonstrata në Prishtinë, Kadri Zeka – OMLK, Jusuf Gërvalla – LNÇKVSHJ, Ibrahim Kelmendi -FKP, përmes organizimit të demonstratave punonin edhe në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në ish -Jugosllavi, por edhe në bashkimin e mërgimtarëve atdhetarë, të cilët me pjesëmarrjen e tyre në demonstrata dhe takime, zbulonin elementin atdhetar, i cili në të ardhmen do të bëhej adresa e gjithë organizimeve të Lëvizjes në shtetet perëndimore, deri në vitin 1998/1999, kur filloi lufta frontale për Liri.

Në demonstratën e shqiptarëve të mbajtur më 18 prill 1981, udhëheqësi i saj Kadri Zeka, mbajti një fjalim me titull “Kryengritja popullore e vitit 1981 në Kosovë”, në të cilin fliste gjerësisht për historinë e nëpërkëmbur të kombit shqiptar dhe dhunën e terrorin serbomadh që po ushtronte mbi popullin e Kosovës. Në fund të këtij fjalimi, Kadri Zeka kishte hartuar një listë prej 11 pikash:

1. Kosovës t’i njihej statusi i Republikës me të gjitha tokat shqiptare në Jugosllavi.
2. Shqiptarëve t’i njihet e drejta deri në shkëputje.
3. Lirimin e pakusht të të gjithë të burgosurve politikë dhe kthimin në
Kosovë të burgosurve të tjerë.
4. Të mos plaçkitet pasuria e Kosovës nga Republikat Jugosllave, por
ato t’i shfrytëzojë Republika e Kosovës për zhvillimin dhe
përparimin e saj.
5. Të gjithë shqiptarët në Jugosllavi të kenë të drejtë të kremtimit të
festave Kombëtare dhe përdorimin e Flamurit kombëtar.
6. Kushte më të mira pune dhe jetese për nxënësit dhe studentët shqiptarë dhe trajtimi i tyre i barabartë me studentët e
Universiteteve tjera në Jugosllavi.
7. Sigurimin e punës për të papunët dhe kthimin e mërgimtarëve në
vendlindje.
8. Liria e fjalës dhe e shtypit.
9. Pezullimin e vendimeve për shtetrrethimin dhe orën policore në
Kosovë.
10. Tërheqjen e të gjitha forcave policore dhe ushtarake të sjella në
Kosovë.
11. Autorët e krimeve të shëmtuara të nxirren para gjyqit të popullitdhe të marrin dënimet e merituara.

Duke e ditur rëndësinë e punës dhe veprimtarisë së tyre, udhëheqja e Jugosllavisë përmes rrjetit të saj agjenturor të UDB-së, u kishte rënë në gjurmë dhe kishte hartuar edhe planin për likuidimin fizik të vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, sepse atyre i pengonte aktiviteti i atdhetarëve shqiptarë në shtetet e perëndimit, prandaj në shtypin e kohës, thuhej se “Organizatat armiqësore në emigracion, në veprimtarinë e tyre i shfrytëzojnë të gjitha rrethanat e mundshme, duke filluar nga marrëdhëniet ndërkombëtare e deri te kushtet ligjore që u ofrojnë sistemet e Evropës Perëndimore”.

Në vitin 1981, sipas shtypit serb, nacionalistët dhe irredentistët shqiptarë organizuan demonstrata anti-Jugosllave në shumë qendra të Evropës Perëndimore dhe në SHBA.

Lidhja që kishin krijuar tre krerët e Lëvizjes në mërgim gjatë demonstratave të vitit 1981 anë e kënd shteteve evropiane, i mblodhi ata në Biel/ Bienne të Zvicrës në dasmën e Kadri Zekës dhe të Saime Isufit, më 01 e 02 janar 1982, në të cilën u zyrtarizua pajtimi mes Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Po aty, të gjithë pjesëmarrësit, krushqit e dasmës dhe të lirisë, pas fjalimit të Kadri Zekës, dhanë betimin për bashkim të radhëve brenda dhe jashtë vendit105.

Rreth orës njëmbëdhjetë të ditës së shtunë të 16 janarit 1982, duke qenë bashkë me Kadri Zekën mysafir te Sylë dhe Vezire Nuha në Dyseldorf, me ftesë të Jusufit përmes telefonit, udhëtuam fillimisht në shtëpinë e Murat Kryeziut në Bernhausern afër Aeroportit të Shtutgartit.

Pas takimit me vëllezërit Gërvalla dhe 15 veprimtarë tjerë, u organizua shfaqja e filmave të Kinostudios “Shqipëria e Reʺ.

Këtë aktivitet Jusuf Gërvalla e kishte shfrytëzuar që të demonstronte para veprimtarëve të Rrethit të Shtutgardit se ne nuk ishim të përçarë, e aq më shumë donte të demonstronte gatishmërinë për të vazhduar bashkëveprimtarinë, e cila ishte ndërprerë që nga tetori i vitit 1981.

Pas përfundimit të shfaqjes ai luti të pranishmit që ti bëjnë pyetje Kadriu Zekës për situatën politike në Kosovë dhe për organizimin e radhëve të mërgatës.

Pas përfundimit të debatit, me gjithë tentimin e Faredin Tafallarit dhe të tjerëve për të na marrë në konakun e tyre, Jusufi ndërhyri duke thënë se Zeqa, pra Kadri Zeka, Ibrahimi dhe Syla do të vijnë tek ne, pra rreth 70 km deri në shtëpinë e tij në Untergrupenbach.

Në agimin e datës 17 janar 1982, pasi ora shkoi katër (04.00 të mëngjesit), tashmë ishim vetëm Jusufi, Kadriu dhe unë, Jusufi filloi bisedën rreth aktivitetit të tyre dhe zhvillimet që kishin ndodhur qysh kur kishte dështuar bashkimi në takimin në Turqi, ndërmjet Kadri Zekës dhe Sabri Novosellës, diku rreth mesit të tetorit 1981, pra afër tre muaj më parë.

Bashkimin e organizatave politike më mërgim e kishte kundërshtuar Sabri Novosella Në përmbyllje të fjalimit të tij goxha gjithëpërfshirës, Jusufi edhe një herë shfaqi gatishmërinë për ta vazhduar veprimtarinë e përbashkët, duke potencuar edhe një herë se ishte i gatshëm për bashkim, ashtu siç ishin marrë vesh në takimet e mëhershme.

Kadri Zeka qe impresionuar nga reflektimi dhe gatishmëria e Jusuf Gërvallës për bashkimin e Lëvizjes dhe edhe ai foli goxha gjatë, duke shfaqur po ashtu gatishmërinë për t`u bashkuar në një organizim të përbashkët. Belbëzova edhe unë diçka, duke thënë se Fronti që nga marsi 1981, kishte ngrirë organizimin, duke pritur një bashkim në një organizatë të përbashkët.

Pas gjithë këtyre fjalimeve, në dukje krejt spontanisht, Jusuf Gërvalla u ngrit në këmbë dhe foli: «Atëherë, urime na qoftë bashkimi!» Ai shtriu duart drejt nesh që të ngriheshim të gjithë në këmbë dhe t`i bashkonim duart për ta bekuar bashkimin!

Ashtu siç e kërkoi Jusufi, ne u ngritëm në këmbë dhe puqëm duart, duke i mbajtur një copë herë të lidhura. Në sytë tanë vërehej shenja lotësh nga gëzimi.

 Tashmë ndiheshim krejt ndryshe, sikur ishim shkrirë të tre në një të vetëm. Biseduam edhe për emrin, nëse do ta quanim Lëvizje, ose Front për Republikën e Kosovës dhe në fund dominoi mendimi për emrin LËVIZJE.

Pasi ishim të tej lodhur, rreth orës 06:00 të mëngjesit vendosëm që të flinim ca orë dhe kur të zgjoheshim të formulonim vendimin për bashkim, konform tezave të vitit 1981, i cili do të bëhej publik për opinionin dhe radhët e organizuara. Iniciativa për bashkimin e Grupeve të Lëvizjes, ishte marrë nga OMLK-ja në Kosovë, e cila po për atë qëllim pati përgatitur «Tezat rreth Frontit Popullorë për Republikën e Kosovës» dhe për shkak të burgosjeve të shumta në Kosovë, bisedat për bashkim nuk mund të bëheshin atje, prandaj TEZAT, i ofroi Kadri Zeka që të bisedonim për bashkimin në emigracion.

Po atë ditë në mbrëmje në orën 19:00, kishim paraparë një aktivitet në Klubin “Emin Duraku” në Düseldorf, dhe Jusufi më autorizoi mua që të jem me mërgimtarët, pasi Jusufi dhe Kadriu do të përpilonin materialin për shtyp dhe kompletimin e materialit përkatës për bashkimin në Lëvizjen për Republikën e Kosovës -LPRK.

Pas përfundimit të tubimit me bashkë atdhetar në Düseldorf, i cili zgjati deri në orët e vona në mesnatë, sapo jemi shpërndarë për të fjetur, morëm lajmin e kobshëm për vrasjen e shokëve, Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit.

Vrasja e tre udhëheqësve kryesorë të Lëvizjes së sapo bashkuar për Republikën e Kosovës erdhi pas një sërë kërcënimesh e përcjelljesh nga UDB-ja108 dhe shteti i Jugosllavisë, fatkeqësisht pikërisht në mbrëmjen e asaj dite të madhe historike kur ishte arritur bashkimi i tyre, më 17 janar 1982, në Untergrupenbach të Gjermanisë.

Vrasja e tyre siç dukej qartazi, u bë për shkak se elementë të UDB-së, ndoshta edhe të infiltruar në radhët e Lëvizjes, nuk pranonin bashkimin e organizatave ilegale shqiptare, bashkim i cili do të forconte luftën e shqiptarëve për Liri e Republikë. Pas vrasjes së Jusufit, Kadriut dhe Bardhit, vendimit të 17 janarit 1982, i plasi komploti.

Në krye të atij komploti ishin Sabri Novosella, Abdullah Prapashtica dhe Xhafer Shatri të cilët simuluan bashkimin e tyre pas një muaji më 17 shkurt 1982, për ta kapur gjithë veprimtarinë e Lëvizjes të organizuar patriotike të mërgimtarëve.

U deshën 4-5 vite që komploti i tyre të demaskohej dhe për rrjedhojë ata u vetë larguan nga Lëvizja për t`u marrë me angazhime tjera.

Vrasja e tre prijësve të lëvizjes ilegale në Perendim, vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës më 17 janar 1982, Untergupenbach, Gjermani.

Pos humbjes së pazëvendësueshme që shkaktoi vrasja e tyre, ajo shkaktoi edhe huti, konfuzion dhe mosbesim në pjesën e mbetur të Lëvizjes në mërgim, e cila ishte bërë epiqendra e drejtimit të luftës ilegale për Republikën e Kosovës.

Pas vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, të cilët edhe përkundër mospajtimeve, kishin kurorëzuar bashkimin e tri grupimeve më të mëdha ilegale që vepronin në Evropën Perëndimore, Jugosllavia mendoi dhe propagandoi se e zhduki udhëheqjen kryesore të ,,terroristëve” shqiptar të Kosovës.

Shtypi jugosllav dhe RILINDJA e vetmja gazetë në gjuhën shqipe në Kosovë, këtë vrasje e cilësonte si qërim hesapesh midis emigrantëve shqiptar, duke u munduar kështu që me një gur të vrasë dy zogj.  Pas vrasjes së tre udhëheqësve kryesor të lëvizjes, vazhdimësia për unifikimin e grupimeve ekzistuese u vështirësua.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)