Eksodet kosovare: 1999 dhe 2015
Shkruar nga Labinot Kunushevci
Pesëmbëdhjetë vite pas eksodit kosovar të vitit 99, po përsëritet edhe një eksod masiv i kosovarëve drejt vendeve të Perëndimit, vetëm se tani jo për shkak të regjimit serb, por për shkak të kushteve ekonomike; mungesës së perspektivës, humbjes së shpresës, pakënaqësisë me funksionimin e shtetit, papunësisë së lartë, duke shpresuar dhe synuar një jetë më të mirë në vendet evropiane.
Eksodi aktual po karakterizohet me trendin e migrimit ilegal të qytetarëve dhe kërkimin e azilit në vendet evropiane, ku për çdo mbrëmje nga stacioni i autobusëve në Prishtinë qindra qytetarë po nisen rrugëve të pasigurta të Perëndimit.
Shumë kosovarë që përjetuan eksodin në luftë, shpresuan se pas kthimit në vendin e tyre, do të bëhet më mirë; do të krijohet shteti demokratik, do të funksionojë ligji, do të krijohen vende të punës, do të kenë liri e siguri, do të integrohen dhe do tu krijohen kushte më të mira të jetës, por ky optimizëm kohëve të fundit ka filluar të zbehet shumë dhe më së miri këtë e vërteton fakti i ikjes masive të qytetarëve të dëshpruar.
Në kontekst të kujtesës për eksodin kosovar, kam përzgjedhur mbi 60 fotografi që i kam grumbulluar nga burime të ndryshme e që pasqyrojnë eksodin e vitit 99 dhe eksodin aktual.