Edhe Maqedonasit kundër shtetit të Maqedonisë
Shkruar nga Albert Ramadani
Pas prishjes së Jugosllavisë, ish-Republika e Maqedonisë mori statusin e shtetit të pavarur, duke e ruajtur emrin që kishte brenda federatës.
Athina vuri kujën për krijimin e një shteti më këtë emër dhe ende vazhdon të kundërshtojë, edhe tani që Greqia ngjan më tepër me një piramidë financiare të ekspozuar.
Maqedonasit betohen se sdo të heqin dorë nga ky emër, grekët tolerojnë çdo emër tjetër të mundshëm, me përjashtim të atij që duan maqedonasit.
Duke shfrytëzuar përparësinë e saj në arenën ndërkombëtare, Greqia është munduar, dhe shpesh ia ka arritur, të bllokojë integrimin e Maqedonisë në institucionet shumëkombëshe. Në 2008, Maqedonia nuk pranua në NATO, sepse Greqia përdori veton.
Për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, sa kohë që Greqia nuk do të ketë dalë prej saj, nuk bëhet fjalë. Greqia, brenda së cilës ka një krahinë që vendasit e thërrasin Maqedoni, e shikon si kërcënim territorial republikën me të njëjtin emër në kufi me të.
Maqedonasit në veri të kufirit grek këmbëngulin në të tyren dhe, së jashtmi, duket sikur kemi të bëjmë me një marrëzi ballkanike.
Europa nuk është thelluar kurrë në çështjet e Ballkanit dhe, për pasojë, e ka të vështirë ti kuptojë problemet e këtij rajoni. Konflikti për emrin e Maqedonisë nuk është një realitet qesharak, por tragjik.
Në këtë konflikt janë përfshirë dy vende që kanë frikë nga e shkuara e tyre, e ndërtuar në mënyrë të turpshme me ndihmën e fuqive të mëdha.
Grekët e dinë se pjesa veriore e Greqisë nuk ka qenë kurrë greke, por e kanë marrë në zotërim në mënyrë arbitare dhe për ta bërë greke kanë kryer një mal me krime, përfshi spastrimin e popullsisë shqiptare dhe dërgimin në kampet e përqëndrimit, në bashkëpunim me nazistët, rreth 60 hebrej.
Sllavët e Maqedonisë të cilët e thërrasin veten maqedonas nuk duan ta ndryshojnë emrin; në të kundërt ata nuk do të kishin arsye për të pasur një shtet të pavarur, kur shumë mirë mund ti bashkoheshin Bullgarisë.
Mirëpo, sllavëve të Maqedonisë nuk u mjafton që janë kapur me thonj pas emrit antik, ata punojnë me nxitim për krijimin e një identiteti të tyre bazuar në qytetërimin e antikitetit.
Kjo i acaron të gjithë, sepse dihet botërisht që sllavët kanë ardhur në Ballkan rreth shekullit e shtatë, afërsisht dhjetë shekuj pas lulëzimit dhe rënies së qytetërimit maqedon të Filipit II dhe të birit.
Krijimi i shteteve është bërë në forma të ndryshme, por gjithmonë e ka patur një rregullsi logjike.
Në botë ka shtete kombëtare me bazë qytetare, shtete me bazë etnike, ka federata, ka mbretëri shumbëkombëshe, por asnjë nga format e njohura të shteteve të deritanishme nuk përputhet me modelin që kërkojnë të ndjekin sllavët e Maqedonisë.
Kombet e para u krijuan me bazë qytetare, domethënë, strukturat politike dhe ushtarake që kishin kontrollin mbi një territor të caktuar, prej një kohe të gjatë dhe me popullsi të ndryshme, bënë, falë zhvillimit të shkrimit dhe transportit, njësimin e banorëve të këtyre territoreve.
Njerëzit filluan të flasin të njëjtën gjuhë ose vetëm një dialekt të gjuhës së përbashkët, të njëjtën histori ose të njëjtin variant të historisë, të njëjtët heronj ose antiheronj, filluan të kenë të njëjtat ligje, të njëjtat taksa e kështu me radhë. Kështu lindi qytetari francez, britanik, amerikan, spanjoll, hollandez etj.
Kombet me bazë etnike lindën më vonë, duke nisur me shtetet gjermane, të cilët u detyruan të bashkoheshin për të minimizuar rrezikun që mund të vinte nga agresiviteti i një shteti me madhësinë e Francës.
Kombi gjerman ishte një tërësi bashkësish njerëzore që thuajse kishin gjithçka të përbashkët, me përjashtim të territorit. Po kështu u krijua Italia dhe pas tyre shtetet me bazë etnike lulëzuan.
Mirëpo, shtetet e mëvonshme me bazë etnike nuk e patën aq të lehtë krijimin e tyre sa Gjermania dhe Italia, secili kishte veçoritë e veta.
Bashkësitë e ndara gjermanike ishin shtete të veçuara, secila prej tyre kishte kufij të përcaktuar dhe ishte thuajse e lirë të vendoste për fatin e saj. Pjesa tjetër e popujve të Europës, kryesisht më në lindje, ekzistonin si pjesë e ndonjë perandorie.
Për shembull, shumica e vendeve Ballkanike ishin pjesë e Perandorisë Osmane, me kufij jo qartë të përcaktuar dhe krijimi i tyre, sipas vullnetit të fuqive të mëdha dhe jo popujve vendas, mbolli farën e krizave që ka përjetuar gadishulli gjatë shekullit të fundit.
Një model tjetër i shteve është federata, e cila jo gjithonë ka rezultuar e sukseshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zvicra janë shembulli i suksesit, ndërsa Jugosllavia rezultoi projekt i dështuar. Suksesi i federateve varet te vlerësimi i njëjtë i përbërësve të saj.
Pavarësisht origjinës së tyre etnike, banorët e Amerikës së Veriut zgjodhën identitetin amerikan dhe kushdo që pranon të bëhet qytetar amerikan i nështrohet këtij rregulli.
Suksesi ekonomik i atij vendi sigurisht ishte një tundim i madh për krenarinë e njerëzve, të cilët, po i zhveshe nga identiteti i bashkësisë mbeten në thelb thjesht qenie materialiste.
Zvicra është një shembull dhe më i avancuar i qytetarisë, sepse bashkësitë përbërëse të saj kanë ruajtur identitetin e tyre fillestar: gjerman, francez ose italian.
Në rastin e Jugosllavisë, federata dështoi për shumë arsye, por më kryesorja ishte dëshira e Serbisë për dominim, megjithëse gjithë popujt përbërës të saj, me përjashtim të shqiptarëve të Kosovës, ishin sllavë.
Shtetet etnike ballkanike, me përjashtim të Shqipërisë, zhvilluan një nacionalizëm etnik agresiv, me krenari bazuar mbi një lavdi imagjinare në një të shkuar që nuk ka ekzistuar, një lloj sensi viktimizimi nga perandoria osmane.
Kur perandoria u shpërbë, ato u sulën mbi territore që nuk ishin tyre, në shumë raste e larguan me dhunë popullsinë vendase, si rasti çifutëve nga Greqia, apo rasti i shqiptarëve nga shumë pjesë të Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.
Maqedonasit duket se kanë dalë nga federata jugosllave me një formim kombëtar të përshtatshëm për fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Mënyra si ata kërkojnë të ndërtojnë identitetin e tyre, duke e lidhur atë me maqedonët e antikitetit, përveç anës qesharake, përmban edhe farën e dështimit.
Maqedonasit e sotëm nuk kanë lidhje me Maqedoninë e Filipit II dhe Aleksandrit të Madh, diçka që e kanë pranuar edhe vetë historianët sllavë.
Politika e qeverisë së Shkupit, prej së cilës duhen përjashtuar shqiptarët që janë pjesëtarë të saj vetëm si dekor, paraqitet paradoksale.
Nga një anë, me përkushtimin për krijimin e identitetit maqedon, ajo reklamon dashurinë për Maqedoninë, nga ana tjetër, duke injoruar popujt e tjerë që jetojnë në Maqedoni, sidomos shqiptarët që përbëjnë më shumë se një e treta e popullsisë, ajo shfaqet përjashtuese.
Një frymë e tillë nuk është e shëndetshme për ekzistencën e Maqedonisë sipas konstruktit të sotëm.
Shkupi nuk mund të flasë kurrë për identitet maqedon të shtetit të Maqedonisë, kur ajo ka në përbërjen e saj një popullsi jo maqedone ne përmasa dhe kapacitete të mjaftueshme për të qenë shtetëformuese më vete.
Para se ti futeshin projektit për krijimin e identitetit maqedon të republikës ish-jugosllave, ata që e konsiderojnë veten maqedonas duhet të deklaronin qëndrimin e tyre në raport me shqiptarët.
Nëse ata janë për bashkëjetesë me shqiptarët, maqedonasit duhet ti japin politikës së tyre një drejtim tjetër.
Ata duhet të ndërmerrnin politika gjithëpërfshirëse, ku gjithë qytetarët e Maqedonisë, pavarësisht përkatësisë etnike, të ndiheshin të barabartë.
Nëse maqedonasit duan të krijojnë një shtet ekskluzivisht maqedon, më parë ata duhet të asimilojnë popullsinë shqiptare dhe jo të kërkojnë rrënjët e tyre antike që nuk i kanë. Asimilimi mund të realizohet me dy mënyra.
E para, dhe më e buta, është zbatimi i politikave për asimilimin e kulturës shqiptare, përfshi dhe gjuhën.
E dyta, më e dhunshmja, përfshin spastrimin etnik të shqiptarëve. Për këtë ata mund të huazonin projektin e Millosheviçit për Kosovën, por duhet ti bëjnë llogaritë mirë sepse raportet e shqiptarëve të Maqedonisë dhe maqedonasve, nuk janë ato që ishin midis Kosovës dhe Serbisë.
Në Maqedoni, shqiptarët janë një fuqi që nuk mund të diskriminohet në mënyrë frontale prej maqedonasve, ose, e thënë ndryshe, maqedonasit nuk e kanë epërsinë e duhur për të zhdukur një popull apo një kulturë me përmasat e shqiptarëve në Maqedoni.
Dhe kjo, pa marrë parasysh fuqinë e dy shteteve shqiptare kufitarë me Maqedoninë dhe e mundshme të mos qëndrojë indiferente në një rast ekstrem.
Sigurisht, Shkupi ka zgjedhur ta ndërtojë identitetin maqedon të Maqedonisë pa politika publike asmilimi kulturor apo fizik të popullit shqiptar, por kjo nuk bën gjë tjetër veç e shtyn në të ardhmen ditën e konfliktit të brendshëm të shtetit të Maqedonisë.
E ardhmja e Maqedonisë nuk rrezikohet nga presioni grek, por nga këmbëngulja e maqedonasve për të bashkëpunuar me shqiptarët. Krijimi i identitetit maqedon si identitet i shtetit të Maqedonisë do të çojë pashmangshmërisht drejt ndarjes së këtij shteti në formën që ka sot. Ajo që nuk dihet është vetëm dita se kur do të ndodhë kjo.