07 Janar 2025

Bashkimi Evropian projekti më i madh i paqes në botë

Shkruar nga Federica Mogherini

Më 9 maj 1950, Robert Shuman u bëri thirrje kombeve të Evropës që të bashkohen dhe ta bëjnë të pamundur luftën në kontinentin tonë. 65 vite më vonë, mesazhi i tij për paqe dhe bashkim është aq aktual sa kurrë më parë.
 
Thirrja e Shumanit për të tejkaluar ndarjet e lashta, vetëm pesë vjet pas Luftës së Dytë Botërore, vendosën themelet e asaj që u krijua si Bashkimi Evropian.

Ndër vite, Bashkimi ynë është rritur nga gjashtë në njëzet e tetë vende, duke u bërë kështu projekti më i madh i paqes në botë. Ëndrrat e prindërve tanë themelues u bënë realitet.
 
Mirëpo paqja dhe prosperiteti – bazuar në një angazhim të thellë për të drejta themelore, demokraci dhe sundim të ligjit – nuk mund të konsiderohen si dhuratë. Kjo është një punë e vazhdueshme, diçka që duhet të ushqehet dhe të mbrohet.
 
Meqë spektri i luftës është kthyer në kontinentin tonë, uniteti ynë vazhdon të jetë fuqia jonë më e madhe. Atëherë kur ligji ndërkombëtar shkelet dhe kur dinjiteti njerëzor trajtohet me përbuzje, ne kemi përgjegjësi që të mbrojmë vlerat dhe interesat themelore të cilat i ndajmë me njerëzit në mbarë botën.
 
Kjo është Dita e parë e Evropës të cilën e kremtojmë me një lidership të ri në udhëheqjen e unitetit tonë. Që nga dita jonë e parë në zyrë, ne kemi qenë të dedikuar që të punojmë si ekip për të shpërndarë mesazhin e unitetit në Evropë dhe në mbarë botën.
 
Bashkimi Evropian është një projekt i përditshëm i paqes.  Çdo anëtar, i madh dhe i vogël, i ri dhe i vjetër, ka një ulëse në tavolinë dhe ka zë të barabartë.  

Ndërtimi i unitetit nga diversiteti mund të jetë i vështirë, mirëpo bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe negociatat e durueshme na çojnë drejt një konsensusi shumë të fortë. Sot, kjo është ajo që duhet ta arrijmë në mbarë botën.

Ne kemi krijuar Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm për të punuar me partnerë në botë - në Afrikë dhe botën arabe, në Amerikë dhe Azi – drejt atij qëllimi.
 
Dhënia fund e luftës ka të bëjë me tejkalimin e ndasive dhe bashkimin e armiqve të dikurshëm. Ajo do të thotë edhe t’u lësh diçka gjeneratave të reja në të ardhmen.

Kjo është arsyeja pse jemi të bashkuar në luftimin e ekstremizmit dhe krimit të organizuar; ndalimin e ndikimit negativ të ndryshimit klimatik dhe sigurimin e energjisë sonë për të ardhmen.
 
Ne punojmë për të rritur standardet globale, ashtu që secili të mund të pijë ujë të pastër dhe të marrë frymë në ajër të pastër; duke gëzuar standard të lartë jetese dhe produkte cilësore që i kemi në Evropë.

Ne po ashtu punojmë me partnerë nga mbarë bota për të investuar në arsim dhe inovacion, për të hapur një botë mundësish, madje edhe për ata që kanë lindur në varfëri dhe konflikt. 
 
Bashkimi Evropian është një projekt i së ardhmes. Prandaj, sot ne festojmë ditën e Evropës për të kujtuar, mirëpo edhe për të shikuar para.

Shpresoj se do të na bashkangjiteni në mbarë botën për të punuar me ne për një botë ku njerëzit, pa marrë parasysh se kush janë dhe se ku jetojnë, janë të lirë të ndërtojnë ekzistencën e tyre dhe të luftojnë për ëndrrat e tyre.


/Mogherini është Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Europian/

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)