Abortimet e politikës që dëmtuan rëndë shtetsinë e Kosovës
Shkruan nga Sadik Përvetica
Nga presionet gjenocidale të Serbisë mbi gjithçka shqiptare në Kosovë, në dekadat e fundit të shekullit njëzet (1981-99) – liria e Kosovës mbeti shtatzënë.
Pas mbylljes së shkollave shqipe dhe pas helmimit të mijëra nxënësve shqiptarë, në Kosovë filloi një revoltë e madhe gjithëpopullore.
Filloi ngjizja e një gjaku të ri, e një fryti të ri dhe e shpresave të reja për këputjen përfundimtare të vargojve të robërisë së popullit shqiptar të Kosovës nën thundrën shekullore serbe.
Politika e Millosheviqit, në pamje të parë, dëmtoi rëndë të gjitha të arriturat shqiptare, kurse në plane afatgjata liridashëse: të gjithë shqiptarëve ua hapi sytë dhe i mobilizoi fuqishëm: intelektualisht, politikisht dhe kombëtarisht.
Një homogjenizim dhe një moblizim kaq i fuqishëm i gjithë faktorit shqiptar në Kosovë, nuk ishte parë prej shumë kohësh.
Nën udhëheqjen vizionare të profesorit Anton Çetta, shqiptarët filluan aksionin e madh të vetëdijesimit kombëtar dhe të pajtimit mes vete.
Nga ky homogjenizim i gjithë faktorit shqiptar mbeti e habitur edhe gjithë diplomacia serbe e asaj kohe.
Mediet serbe filluan të publikonin panikun serb se: “Kur fillojnë të pajtohen e të afrohen kaq shumë shqiptarët mes vete, diçka e madhe do ndodh…!”..
E nuk kaloi shumë kohë dhe në gjithë arealin gjeografik të Kosovës u shfaq edhe lufta guerile shqiptare. Ky fakt dhe ky guxim i papritur i faktorit shqiptar çmendi gjithë diplomacinë serbe.
Regjimi fashist millosheviqian fuqizoi edhe më tepër represaliet mbi gjithë popullatën shqiptare.
Me fjalë të tjera: diplomacia serbe, në përmasa globale gjeografike shqiptare, filloi aksionin gjenocidal mbi të gjitha resurset shqiptare.
Filluan të arrestohen, të dënohen dhe të vriten edhe shqiptarë që fare nuk merreshin me politikë, si bujq, punëtorë, biznesmenë të thjeshtë, e në veçanti ndiqeshin dhe persekutoheshin intelektualët më të zgjedhur nga radhët e shqiptarëve.
Me këtë rast përkujtojmë intelektualin, shkencëtarin dhe ideologun e madh – Ukshin Hotin, të cilin regjimi serb e burgosi, e torturoi dhe në fund, në mënyrë perfide: kinse e liroi nga burgu, derisa nga ana tjetër, kishte përgatitur skenarin për kidnapimin dhe ekzekutimin e tij, posa të dilte nga dyert e burgut, ku struktura të sigurimit serb, e marrin peng dhe e zhdukin edhe trupin e tij, për të cilin, vetëm këto struktura e dinë se çka kanë bërë me të.
Në këso rrethanash, diplomacia shqiptare kosovare e kohës, në vend se të bashkohej, të ngriste zërin e përbashkët dhe të fuqizohej me gjithë faktorin shqiptar, si edhe shumë herë të tjera gjatë historisë sonë kombëtare, qoftë nga frika prej okupatorit, qoftë edhe për interesa të ngushta personale, fut veshët në leshë ndaj gjithë plojës serbe mbi gjithçka që ishte shqiptare!
Në këso rrethanash, fillon edhe eksodi i madh i gjithë popullatës shqiptare, me ç’rast, kundër kësaj ploje të regjimit serb, ndërhyn Bashkësia Ndërkombëtare.
2. Duhet të theksojmë se janë tepër të dhembshme (dhe tepër të çuditshme) kompromiset që kanë bërë udhëheqësit shqiptarë në vazhdimësi: si në prag të Luftës, si pas Luftës së fundit në Kosovë.
Për kompromiset e pakuptimta dhe tepër të dëmshme për çështjen shqiptare që ka bërë presidenti Rugova me Millosheviqin kemi shkruar jo pak herë. Ndaj, në këtë artikull po ndalemi për kompromiset miope (ABORTIMET POLITIKE) të udhëheqësve të tjerë të pasluftës:
1. Tashmë gjithë bota e di se Lufta në Kosovë u bë për çlirimin e gjithë Kosovës nga robëria serbe. (Le të na kujtohet me këtë rast edhe kënga hit e asaj kohe: “Jo, nuk ndahet Mitrovica”. Kjo këngë, menjëherë pas Luftës, këndohej e jehonte, ditë e net, në gjithë hapësirën gjeografike kosovare.
Në këtë frymë, e gjithë popullata shqiptare e shpërngulur me dhunë nga rrethinat e Mitrovicës, menjëherë pas luftës, bashkohet, organizohet dhe niset për t’u kthyer nëpër trojet e veta e në shtëpitë e veta, ani pse: të plaçkitura e të djegura nga okupatori deri në themele.
Megjithatë, në rrugëtim u dalin përpara dhe i ndalin, pikërisht: UDHËHEQËSIT TANË SHQIPTARË të asaj kohe, duke i mashtruar me përralla dhe duke u thënë se edhe të gjithë shqiptarët, së shpejti, në rrethana më të volitshme, do të kthehen nëpër shtëpitë e veta, gjë që nuk ndodhi kurrë, deri në ditët e sotme.
Pra: edhe sot, pas gati një çerek shekulli pas luftës, gjithë bota po sheh se kthimi i shqiptarëve nëpër trojet e veta në Qytetin e Mitrovicës dhe të rrethinës nuk ndodhi kurrë. Edhe sot, pas gati një çerek shekulli pas luftës në Kosovë, gjithë bota po e sheh se liria e shumëpritur edhe për banorët shqiptarë të Qytetit të Mitrovicës, nuk erdhi kurrë!
Ndaj, në politikën dhe në diplomacinë e re të Republikës së Kosovës, ky ishte ABORTIMI I PARË I POLITKËS KOSOVARE TË PASLUFTËS. Ky, pra, ishte edhe fillimi i mashtrimeve të njëpasnjëshme të popullatës shqiptare nga udhëheqësit e vet.
3. Në luftën (dhe në lakminë) për pushtet (dhe për pasurime marramendëse të paligjshme), nga ana e udhëheqësve kosovarë (të cilët, shumë shpejt u shndërruan në oligarkë dhe në diktatorë të rinj!) filloi grabitja, krejtësisht e paligjshme e gjithë pasurisë publike!
E, krahas kësaj, në përpjekje për krijuar mjegulla dhe për t’u hedhur hi syve: edhe popullit të vet, edhe Bashkësisë Ndërkombëtare, udhëheqësit kosovarë të Republikës së Kosovës, krahas keqpërdorimit të parasë dhe gjithë pasurisë publike, për ta blerë lirinë e vet për veprime të pakufishme dhe pa kurrëfarë bazash ligjore: filluan t’u falin toka edhe fqinjëve.
Ky, pra, ishte Abortimi i Dytë i politikës kosovare Kujtojmë me këtë rast: Tokat e Debëlldesë që iu falën Maqedonisë, Kullën dhe Çakorrin bashkë me 8200 hektarë tokë që iu falën edhe Malit të Zi, si dhe pranimin vullnetar të udhëheqjes sonë: për ta ndarë Kosovën edhe më tej dhe për t’ia falur edhe 25% të territorit tonë: edhe Serbisë – shtetit që bëri gjithë atë gjenocid dhe gjithë atë plojë mbi gjithçka shqiptare – ende pa u tharë gjaku i heronjve, i dëshmorëve, i martirëve, i shqiptarëve që u kidnapuan rrugëve të Kosovës e deri edhe te mijëra fëmijëve të vrarë dhe mijëra grave e burrave të dhunuar nga Ushtria e Xhandarmëria Serbe!!!
E, gjatë gjithë kësaj kohe, nuk guxojmë kurrsesi t’i harrojmë as vrasjet jo të pakta “enigmatike” që ndodhën brenda shtetit tonë – edhe pas luftës.
Në këtë mënyrë liria e Kosovës, liria që mbeti shtatzënë gjatë robërisë shekullore serbe, në vend se të lindte fëmijë të shëndoshë: fëmijë bineqë, trineqë e shtatëneqë, siç pritej (thoshin se Kosova do bëhej Zvicër), politikat e gabuara lakmuese të udhëheqësve tabë (vetëm për mirëqenien e vet dhe të familjeve e miqve të vet) – shtatzëninë e shumëpritur të lirisë së Kosovës, gjakun e derdhur të heronjve e dëshnmorëve tanë, si dhe të gjitha sakrificat gjithëpopullore e gjithëkombëtare - i shndërruan në Abortim shtetëror me dëmtime të rënda për shtetësinë e Kosovës, pasojat e të cilave Abortime do të rëndojnë mbi gjithë kurrizin e popullatës kosovare (dhe jo vetëm kosovare) edhe në dekadat e ardhshme.