Rexhepi kritikon punonjësit serbë të Policisë së Kosovës
Prishtinë, 25 qershor - Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës janë kritikuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, sipas të cilit ata nuk kanë kryer detyrën me përgjegjësi në pikën kufitare në veri.
Ministri Rexhepi e ka cilësuar si të dhunshme hyrjen e një grupi prej 30 shtetasish serbë në territorin e Republikës së Kosovës. Grupi i serbëve hyri dje rreth orës 15:00 në kufirin e Kosovës në Jarinje të Leposaviqit me dhunë, duke mos u ndalur në paralajmërimin e policisë.
Serbët kanë kërcënuar policët e Kosovës në pikën kufitare, duke vazhduar rrugën këmbë në drejtim të Leposaviqit dhe Mitrovicës.
Mediat kosovare raportojnë se këtë grup e përbëjnë persona nga e ashtuquajtura Garda Car Llazarit dhe të grupit fashist Obraz.