Presidenti Sejdiu vlerësoi punën e Forcës së Sigurisë së Kosovës
Prishtinë, 30 qershor - Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Komandanti Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Sylejman Selimin dhe një grup oficerësh të rinj të porsagraduar në Qendrën e Studimeve Universitare - Gjenerata 2010.
Presidenti Sejdiu e çmoi punën e madhe që po bëhet për ngritjen e potencialeve njerëzore e profesionale të FSK-së.
Suksesi që kanë treguar këta oficerë të rinj të FSK-së dhe angazhimi juaj i deritanishëm për profesionalizimin e pjesëtarëve të saj është shembulli më i mirë për gjeneratat e ardhshme të vendit, theksoi Presidenti Sejdiu.
Ndërsa, Gjenerallejtënant Selimi tha se Forca e Sigurisë e Kosovës është zotuar se do ti kryejë detyrat e veta sipas ligjit dhe se do të angazhohet gjithmonë për të mirën e qytetarëve të vendit.
Kadetët e FSK-së po bëjnë trajnime jashtë vendit dhe ju siguroj, z. President, se e ardhmja e FSK-së do të jetë e ndritshme, theksoi gjenerallejtënant Selimi.