IKD prezanton shpalljen e simuluar të një aktgjykimi të një rasti të korrupsionit
Prishtinë, 9 dhjetor - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) organizon aktivitet me studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së, ku do të bëhet prezantimi i shpalljes së simuluar të një aktgjykimi të një rasti të korrupsionit.
Ky organizim bëhet në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, e cila organizohet nga Koalicioni i OJQ-ve. Pjesë e këtij koalicioni janë 6 organizata: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus.
IKD përmes këtij aktiviteti synon ngritjen e vetëdijes dhe përçimin e mesazhit lidhur me politikën e duhur ndëshkimore në rastet e korrupsionit të profilit të lartë.
Kjo do të bëhet përmes prezantimit nga vetë studentët e fakulteteve juridike në vend, të cilët gjatë punës së tyre praktike në kuadër të Klinikës Ligjore të IKD-së kanë analizuar, ndërtuar dhe përgatitur një rast të korrupsionit të profilit të lartë dhe të premten bëjnë prezantimin e të njëjtit.