10 Dhjetor 2024

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë 13 535 persona dhe mbi 20 mijë viktima te dhunes seksuale

Prishtinë, 6 qershor - Avokati i Popullit, përmes këtij raporti, ka vlerësuar nga perspektiva e të drejtave të njeriut se sa kanë qenë institucionet e Republikës së Kosovës në nivelin e përmbushjes së detyrimeve që dalin nga Kushtetuta, nga ligjet në fuqi dhe nga instrumentet ndërkombëtare për sa u përket krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe sigurimit të drejtësisë për viktimat e këtyre krimeve.

Raporti përshkruan të dhënat e publikuara nga organizata dhe agjenci qeveritare dhe joqeveritare lidhur me pasojat e krimeve të luftës të kryera në Kosovë.

Sipas këtyre të dhënave, gjatë luftës në Kosovë janë vrarë apo zhdukur 13 535 persona, prej të cilëve 10 000 janë civilë, 1 133 fëmijë janë vrarë apo zhdukur. Ndërkohë supozohet se janë rreth 20 mijë persona viktima të dhunës seksuale.

Gjithashtu raporti trajton edhe rastet e mbajtjes të civilëve si pengje në kampe të ndryshme dhe puna e detyruar, zhvendosjen e së paku 810 mijë qytetarëve të Kosovës që janë detyruar të largoheshin nga vendi si refugjatë lufte, si dhe dëmet e jashtëzakonshme materiale, duke përfshirë: plaçkitje, dëmtim apo shkatërrim të plotë të objekteve të banimit, ku numërohen rreth 120 mijë shtëpi të shkatërruara.

Raporti synon t’i identifikojë të gjitha nismat, qofshin institucionale apo të shoqërisë civile, në fushën e Drejtësisë Tranzicionale dhe ta analizojë zbatimin e këtyre nismave dhe, në bazë të analizës, ta bëjë vlerësimin nëse institucionet e shtetit kanë bërë mjaftueshëm në përmbushjen e obligimit të tyre në realizimin e të drejtave të njeriut për shkeljet masive të tyre në periudhën e luftës në Kosovë.

Raporti synon të ofrojë rekomandime për politika dhe nisma të reja, si dhe rekomandime për përmirësimin e funksionimit të nismave ekzistuese në fushën e Drejtësisë Tranzicionale, të cilat do të ndikonin në realizimin më të madh të të drejtave të viktimave për drejtësi dhe reparacion, si dhe në realizimin e së drejtës për të ditur dhe garantimin e mospërsëritjes.

Me këtë raport Avokati i Popullit konstaton se institucionet nuk i kanë përmbushur obligimet e veta karshi viktimave në ofrimin e drejtësisë për krimet e luftës kundër njerëzimit, me përmasa të gjenocidit, që janë kryer gjatë luftës në Kosovë.

Gjithashtu Avokati i Popullit konstaton se shteti nuk i ka përmbushur obligimet e veta ndaj viktimave kur bëhet fjalë për mbledhjen dhe dokumentimin e fakteve mbi krimet e luftës.

Pra nuk është përmbushur e drejta për të ditur për qytetarët e saj, viktima të luftës në Kosovë.

Në anën tjetër vlerësohet se Kosova, në masë të madhe, i ka përmbushur detyrimet në ofrimin e reparacioneve materiale ndaj viktimave dhe ndërmarrjen e reformave institucionale, me qëllim të garantimit të mospërsëritjes.

Po ashtu janë ndërmarrë nisma ligjore dhe institucionale për t’i zbatuar mekanizmat e Drejtësisë Tranzicionale. Mirëpo këto nisma, duke mos qenë gjithmonë në harmoni dhe në bashkërenditje me njëra-tjetrën, si të tilla, nuk i kanë dhënë rezultatet e dëshiruara.

Deri më tani nuk është hartuar një strategji nacionale për Drejtësinë Tranzicionale, e cila do t’i harmonizonte të gjitha nismat ligjore dhe institucionale, e që do ta realizonte të drejtën e viktimave për drejtësi dhe reparacione, si dhe të drejtën e shoqërisë për të ditur mbi të kaluarën.

Mbështetur në të gjeturat nga ky raport, Avokati i Popullit u ka rekomanduar autoriteteve përgjegjëse të angazhohen në:

Hartimin e Strategjisë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale;

Krijimin e një komisioni gjithëpërfshirës në arritjen e paqes dhe të së vërtetës;

Rritjen e kapaciteteve të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale;

Zbatimin e Strategjisë për Krime Lufte;

Ndërmarrjen e masave që Instituti i ri për Krimet e Kryera gjatë luftës të mbetet një institucion i pavarur dhe pa ndikime politike;

Themelimin e muzeut të luftës, i cili do të kishte në fokus viktimat civile të luftës;

Rregullimin me ligj të çështjes së ngritjes së memorialëve, shënjimin dhe rregullimin e hapësirave publike dhe private ku kanë ndodhur shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës;

Institucionalizimin e memorialëve të krijuara nga shoqëria civile apo individët, pasi të vlerësohet se i plotësojnë kushtet, dhe të njëjtat të bëhen pjesë e muzeve apo të galerive;

Hartimin e programeve të specializuar për edukimin e zyrtarëve publikë, që ofrojnë shërbime për viktimat dhe familjet e tyre, mbi mekanizmat dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si dhe programe të specializuara mbi parandalimin e diskriminimit;

Ndërmarrjen e veprimeve konkrete për zbardhjen e identitetit të rreth 300 mbetjeve mortore që gjenden në Morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore;

Organizimin e trajnimeve të rregullta për prokurorë të Departamentit për Krime Lufte i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për bashkëpunëtorët profesionalë, por edhe për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët i hetojnë krimet e luftës;

Inicimin e krijimit të një baze të dhënash (databazë) qendrore, ku do të arkivoheshin të gjitha dokumentet gjyqësore nga gjykimet për krime lufte të zhvilluara në Kosovë, si dhe;

Vendosjen e bashkëpunimit me Mekanizmin Rezidual për Tribunalet Ndërkombëtare, në mënyrë që të mundësohet marrja e arkivit nga ky Tribunal, materialet nga pesë lëndët për krimet në Kosovë, që janë proceduar në gjykatë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)