Zjarri në Portugali shkakton 43 viktima
Lizbonë, 18 qershor - Një zjarr i madh në Portugali besohet se ka shkaktuar vdekjen e 43 personave, thonë autoritetet.
Shumica vdiqën në veturat e tyre derisa po tentonin të largoheshin nga zona Pedrogao Grande, 50 kilometra në juglindje të Coimbra-s.
Disa zjarrfikës janë në mesin e 59 personave të lënduar.
Fatkeqësisht kjo duket të jetë tragjedia më e madhe që e kemi parë viteve të fundit në zjarret e pyjeve, tha kryeministri Antonio Costa. Ai tha se numri i të vdekurve mund të rritet.
Sekretari i shtetit për punë të brendshme, Jorge Gomes tha se tre persona vdiqën nga tymi.
Mediat në Portugali raportojnë se zjarri nuk është vënë nën kontroll, pavarësisht angazhimit të rreth 600 zjarrfikësve.
Ndër 59 të plagosurit ishte një vajzë tetëvjeçare me djegie e cila u gjet duke u endur e vetme pranë zjarrit, raporton gazeta Correio do Manhã.
Nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi zjarrin, megjithatë kryeministri Costa tha se stuhitë mund të kishin qenë shkaktar i mundshëm.
Portugalia ka përjetuar një valë të nxehti, me temperatura më të larta se 40 gradë Celsius në disa zona.
Marrja nën kontroll varet jo vetëm nga temperaturat, të cilat duket të jenë të larta, por mbi të gjitha varet nga era. Është më tepër në duart e nënës natyrë.