BE konfirmon se liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024
Bruksel, 20 tetor - Bashkimi Evropian (BE) edhe një herë e ka konfirmuar se do të liberalizohen vizat për Kosovën, dhe se ky vendim nuk do të kthehet prapa.
Në një përgjigje për mediat e Kosovës, thuhet se shtetet individuale nuk mund të vendosin për pezullim të liberalizimit të vizave.
“Shtetet Anëtare individuale nuk mund të vendosin të pezullojnë një regjim pa viza. Rregullat në lidhje me dhënien, pezullimin ose përfundimin e përjashtimeve të vizave janë plotësisht të harmonizuara në nivel të BE-së dhe kërkojnë vendime në nivel të BE-së”, thuhet në përgjigje.
Po ashtu, BE-ja ka theksuar se liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.
“Liberalizimi i vizave për mbajtësit e pasaportave të Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Ai do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë në BE pa viza për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore. Komisioni kishte vlerësuar që nga korriku 2018 se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Kosova ka punuar vazhdimisht për të përmbushur standardet”, thuhet tutje.
Ndryshe, para disa ditësh, presidenti i Francës kishte “kërcënuar” në lidhje me çështjen e vizave për Kosovën.
Sipas tij, Kosova duhet t’i kryejë detyrat e saj të cilat i ka marrë përgjegjësi.