Zgjedhjet në Shqipëri, zgjatet orari i votimeve
Tiranë, 25 qershor- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka vendosur të shtyjë me 60 minuta orarin zyrtar të mbylljes së qendrave të votimit.
Ndonëse ishte paraparë që mbyllja e vendvotimeve të bëhet në orën 19:00, KQZ ka marrë vendim për shtyrjen e afatit të mbylljes së vendvotimeve deri në orën 20:00.
Nga raportimet deri në orën 16:00, sipas KQZ-së kanë votuar rreth 36 përqind në rang vendi. Megjithatë, këto shifra përfaqësojnë vetëm një përqindje të vogël, pikërisht të atyre qendrave të votimit që kanë dërguar të dhëna për pjesëmarrjen në KQZ.
Ndërkohë, pas orës 18:00 ka patur një rritje të fluksit të personave që janë paraqitur në dyer të qendrave të votimit.
Në mbledhjen e KQZ-së u tha se në përgjithësi procesi po ecën i qetë dhe votimi vazhdon të kryhet në të gjitha qendrat e votimit, dhe se nuk ka asnjë qendër votimi në të cilën është bllokuar procesi i votimit.