Zëvendësministri Selimi vizitë pune në Mal të Zi
Podgoricë, 20 gusht Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, po qëndron për një vizitë zyrtare njëditore në Malin e Zi.
Selimi, i shoqëruar nga Ardian Arifaj, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të parë Hashim Thaçi, dhe Heroina Telaku, drejtoreshë për politika në MPJ, është takuar me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Igor Llukshiq, këshilltarin e kryetarit malazias Filip Vujanoviq, Dragisha Burzan, dhe drejtoreshën e Nismës rajonale për migrim, azil dhe refugjatë (MARRI), Tamara Mugosha.
Zëvendësministri Selimi diskutoi me nikoqirët e tij rreth përgatitjeve përfundimtare para Samitit për Ballkanin Perëndimor në Vjenë, për bashkëpunimin rajonal, përmbylljen e procesit të demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi si dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.