Yee: Pamjet në Kuvend dëmtojnë procesin e integrimit të Kosovës
Washington, 14 nëntor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga takoi Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Hoyt Yee për të diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon.
Presidentja Jahjaga informoi z. Yee se ajo ka referuar Parimet e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, pas konsultimeve me partitë politike, për të kërkuar interpretim të përputhshmërisë së Parimeve të asociacionit me Kushtetutën e Kosovës.
Presidentja theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve me fokus në implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara nën ndërmjetësimin e BE-së si kusht i përparimit drejt Bashkimit Evropian.
Yee dënoi përdorimin e dhunës në Kuvendin e Kosovës dhe ftoi palët që të gjejnë zgjidhje për tejkalimin e bllokadës përmes dialogut dhe mirëkuptimit.
Ai tha se pamjet në Kuvend dëmtojnë procesin e integrimit të Kosovës.
Zëvendës Ndihmës Sekretari shprehi përkrahjen e tij për vendimin Presidentes për referimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të siguruar përputhshmërinë me Kushtetutën e Kosovës dhe për t\'i dhënë kredibilitet rezultateve të dialogut.