Vuçiq: Me Mustafën kam biseduar për dialogun dhe problemet e serbëve
Prishtinë, 26 mars - Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot në Beograd se gjatë një bisedë telefonike të mërkurën në mbrëmje me kryeministrin e Kosobës, Isa Mustafa, është folur për problemet që serbët kanë në Kosovë dhe për vazhdimin e dialogut Prishtinë Beograd.
Gazetarëve në Beograd Vuçiq u ka thënë se ai dhe Mustafa kanë pikëpamje të ndryshme për botën, për të ardhmen, për Kosovën, por, sipas tij, është normale që të bisedojnë mes vete.
\"Puna ime është të bisedoj dhe gjithmonë do të bisedoj me të. Sikur që më vjen gjithmonë mirë kur bisedoj me Angela Merkelin, me Putinin, njëllloj më duket normale të bisedoj me dikë që nuk është edhe aq popullor. Por, unë nuk mundem dhe nuk dua ta them asnjë fjalë të keqe për këtë, sepse puna ime dhe e tij është ti zgjidhim problemet, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq e Mustafa janë takuar për herë të parë në cilësinë e kryeministrave më 9-10 shkurt të këtij viti, në kuadrin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.