Vuçiç akuzoi Prishtinën për provokim
Beograd, 14 janar - Nisja e sotme e trenit, sipas autoriteteve të Beogradit ishte një sprovë me synimin për vendosjen ne linjës së rregullt Beograd - Mitrovicë.
Treni sipas autoriteteve serbe është ndaluar në Rashkë një komunë në Serbinë jugperëndimore.
Në orët e mbrëmjes kryeministri serb Aleksandër Vuçiç tha se për në Mitrovicë ishte nisur një tren dhe jo një tank.
\"Vendimi im ishte, dhe krenohem me të, që ta ndaloj trenin në Rashkë me qëllim të ruajtjes së lirisë së njerëzve tanë dhe të ruaj paqen e të shmang konfliktet, tha kryeministri serb pas një takimi emergjent me shërbimet serbe të sigurimit.
Ai akuzoi Prishtinë për provokim ndërsa theksoi se është ankuar tek shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini dhe se do të njoftojë Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara për siç tha, faktin se Prishtina po luan \"lojëra lufte\".
U bëj thirrje serbëve që të ruajnë qetësinë dhe vërejtja ime e fundit për shqiptarët dhe edhe lutja për ta në Kosovë është që të mos tentojnë ti sulmojnë serbët me armë, sepse Serbia nuk do ta lejojë një gjë të tillë\".