Veseli në panel në Kongresin Amerikan
Uashington, 14 prill - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, është ftuar të marrë pjesë në panelin e Konferencës me temën: Roli i parlamenteve në fuqizimin e integritetit publik, të organizuar nga Komisioni për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë (HDP) të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Uashington.
Kryetari Veseli prezantoi një historik të shkurtër për traditën e re parlamentare të Republikës së Kosovës, sfidat e Kuvendit, si dhe tejkalimin e tyre në bazë të parimeve demokratike, zbatimit të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.
Në vijim të kësaj Konference, Kryetari Veseli foli edhe për aktualitetin politik, sfidat kuvendore pozitë - opozitë, qasjen dhe lidershipin e treguar për tejkalimin e situatës.
Në fund, Kryetari i Kuvendit kërkoi nga parlamentarët e pranishëm nga vendet e katër kontinenteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë.