Vendet e BE nuk pranojnë më azilantë politikë nga Shqipëria
Bruksel, 15 shkurt - Vendet e Bashkimit Europian kanë shumë vite tashmë që nuk pranojnë më azilantë politikë nga Shqipëria, megjithatë rreth 1 mijë shqiptarë çdo vit vijojnë të tentojnë. Lajmi bëhet i ditur nga databaza e institutit europian të statistikave, Eurostat.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2011, 700 shqiptarë aplikuan për azil, nga 680 që patën aplikuar në gjashtë muajt e parë të vitit 2010.
Në të dyja rastet, rreth 90 për qind e kërkesave u refuzuan, por norma e refuzimit ishte pak më e ulët gjatë vitit 2011, (ndoshta për shkak të trazirave të 21 janarit). Shumica e kërkesave për azil janë regjistruar në Greqi dhe Francë, pasuar nga Britania e Madhe dhe Suedia.
Në Greqi aplikuan 200 vetë, nga të cilët 195 u refuzuan, ndërsa në Francë aplikuan gjithashtu 200 dhe u refuzuan 190 vetë.
Norma më të larta suksesi kanë pasur aplikimet në Belgjikë, Britani e Suedi. Në Belgjikë aplikuan 30 vetë dhe u refuzuan vetëm 15 kërkesa, ndërsa në Britani aplikuan 105 vetë dhe u refuzuan 90.
Ajo që vërehet është që norma e refuzimit në Belgjikë ka rënë nga 100 për qind në tremujorin e parë të vitit 2010 në vetëm 50 për qind gjatë vitit 2011.
Kjo rritje e numrit të pranimit të kërkesave për azil në BE mund të lidhet me ngjarjet e 21 janarit.
Ndërkohë, vendet e tjera, si Suedia apo Britania e Madhe, nuk është se janë prekur shumë nga ngjarjet në fjalë, pasi norma e tyre e refuzimit nuk ka ndryshuar shumë.
Gjatë vitit 2010, 1285 shqiptarë aplikuan për azil dhe 90 për qind e tyre u refuzuan. Gjatë vitit 2009, patën aplikuar 1615 shqiptarë, nga të cilët 1435 vetë ose 89 për qind ishin të pafat.
Shqiptarët kanë zhvilluar strategji të shumëfishta për të lehtësuar emigrimin dhe integrimin e tyre në vendet e zhvilluara, përfshirë në shumë raste sajimin e hasmërive politike apo ngjarje gjakmarrjeje.
Pas heqjes së vizave në dhjetor 2011, një numër i konsiderueshëm shqiptarësh u paraqitën në Bruksel me dokumente që vërtetonin se kishin një gjakmarrje në atdhe dhe rrezikonin të vdisnin.
Belgjika e refuzoi shumicën dërrmuese të këtyre aplikimeve, ndërsa disa shoqata që lëshonin vërtetimet janë aktualisht në procedim penal.