Vazhdon ofensiva kundër ISIS
Trupat e koalicionit antiterrorist të udhëhequra nga SHBA-ja kanë goditur një pozicion luftarak të Shtetit Islamik, në një pikë kyçe të furnizimit me gaz në provincën lindore siriane Deir al-Zour, mbrëmjen e së dielës.
Lajmi konfirmohet nga vëzhguesi sirian opozitar për të drejtat e njeriut, i cili shton se nga sulmet amerikane u godit fabrika Konico, më e madhja e prodhimit të gazit në Siri, e vënë kohët e fundit në kontroll të grupeve terroriste.
Sipas njoftimit kjo fabikë furnizon me energji elektrike provincën qendrore të Homsit, duke e shpërndarë më pas atë anembanë vendit të shkatërruar nga lufta.
Sulmet ajrore të koalicionit gjatë natës, i kanë shkatërruar tri rafineri të imporvizuara në Siri, afër qytetit Tal Abyad, në kufirin me Turqinë.
Njëherësh, në rajonin irakian Anbar, militantët e armatosur të Shtetit Islamik i kanë okupuar tri lagje në qytetin Ramadi.
Një grup vëzhguesish nga Britania e Madhe, drejtues të një network-u aktivistësh në terren, thekson se Shteti Islamik e kishte kthyer një pjesë të fabrikës në qendër paraburgimi, duke shtuar se shumë prej militantëve ekstremistë janë plagosur nga sulmet.
IS, i njohur si Shtetit Islamik i Irakut dhe Levantit, kontrollon pjesën më të madhe të depozitave të naftës dhe gazit në lindje të Sirisë. Kohët e fundit SHBA-ja ka goditur një sërë pozicionesh të IS në qytetet siriane, si pjesë e rinisjes së luftës kundër terrorizmit.
Nderkaq Ministri sirian i informacionit tha se rezoluta e fundit e Kombeve të Bashkuara që kriminalizon luftëtarët e huaj është një fitore politike për Sirinë.
Uashingtoni ka këmbëngulur se fushata ajrore kundër Shtetit Islamik që filloi javën e kaluar nuk do të sillte përfitime për regjimin sirian, që ka tre vjet në luftë civile.
Por ministri Omran al-Zoubi u tha gazetarëve në Damask se rezoluta e Këshillit të Sigurimit që ndalon udhëtimin për të luftuar me ekstremistët fetarë është pozitive për vendin e tij.
Një nga grupet drejtuese të militantëve në Siri, Fronti al-Nusra premtoi se do të hakmerret për sulmin e së shtunës kundër vendeve që morrën pjesë në të (ku përfshihen pesë vende arabe).