Vazhdojnë protestat për të tretën ditë kundër Trump
New York, 12 nëntor - Dhjetra mijëra njerëz nga New Yorku në Kaliforni kanë mbushur rrugët e qyteteve të mëdha amerikane për të tretën ditë, duke shprehur zemërimin e tyre me zgjedhjen e Donald Trumpit si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara.
Demonstrata u zhvilluan nga Portlënd, në Oregon, Dallas, New York dhe në qytete të tjera. Secila protestë tërhoqi zakonisht qindra vetë, më pak nga mijëra njerëz që protestuan kur u bë e qartë se zoti Trump fitoi zgjedhjet e së martës.
Një grua që protestoi pranë Universitetit Minesota në Mineapolis shpjegoi arsyen e saj:
\"Punoj për shkollat publike dhe punoj për fëmijët me ngjyrë. Kam një fëmijë me ngjyrë që është immigrant këtu dhe është adoptuar. Jam grua, kam vajza, më intereson bota, kujdesem për ambjentin, i dua njerëzit dhe dua një botë më të mirë. Asnjëherë se mendoja se kjo do të ndodhte në kohën time. \"
Në Portlend të enjten në darkë, mijëra vetë marshuan në qytet sipas policisë ndërsa protestat u bënë të dhunshme, me njerëzit që thyen xhamat e dyqaneve dhe ndezën fishekzjarre.
Policia tha se kishte njerëz me shkopinj bejzbolli në turmë dhe paralajmëroi njerëzit të largohen.
Zyrtarët e Departamentit të Transportit në Oregon mbyllën një pjesë të autostradave në zonë si masë paraprake.
Në Denver, protestuesit arritën të mbyllin një autostradë në afërsi të qendër të qytetit për pak kohë të enjten në mbrëmje. Protestuesit mbyllën gjithashtu edhe autostradatën në Mineapolis.
Protesta janë mbajtur edhe në Filadelfia, Nju Jork, Baltimor dhe Luizvilë, Kentucky.
Disa prej komenteve më të ashpra të Trumpit gjatë fushatës ishin drejtuar ndaj emigrantëve meksikanë, shumë prej të cilëve ai i cilësoi si kriminelë dhe përdhunues. Në fjalimet e fushatës, ai kërcënoi për dëbime masive të emigrantëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara pa dokumenta apo lejeqëndrim të rregullt.