Ushtria ruse e gatshme për luftën e re botërore
Revista prestigjioze amerikane National Interest ka publikuar një studim, i cili analizon pozicionimin e forcave ruse në Arktik, duke konstatuar se atje është vendosur një fuqi aq e madhe ushtarake, e cila është e gatshme të udhëheq me një luftë globale-botërore, që mund të shpërthejë si pasojë e tensioneve në mes fuqive të mëdha.
Sipas kësaj reviste, Rusia ka pozicionuar në Arktik së paku pesë lloje armatimi, me të cilat mund ti kundërvihet çfarëdo lloj agresioni.
Arktiku, si një pikë gjeostrategjike, është bërë mjaft e rëndësishme për shkak të fenomenit të shkrirjes së akullit, sepse kjo mundëson hulumtime më të lehta të ujërave, mineraleve dhe pasurive të tjera natyrore, transmeton Telegrafi.
Nuk duhet të habit fakti se Rusia është plotësisht e gatshme ushtarakisht në Arktik, shkruan National Interest duke shtuar se Rusia për vite të tëra është përgatitur ta aftësojë Arktikun, kurse për këtë e ka përvojën edhe nga periudha e Bashkimit Sovjetik.
Rusia ka pozicionuar në Arktik katër anije nukleare akullthyese, të cilat janë të angazhuara për operacione në Arktik dhe të rëndësishme në aspektin strategjik për veprime të mundshme ushtarake, kurse SHBA dhe Kanadaja kanë vetëm disa anije të rëndomta akullthyese përgjatë zonës kufitare.
Përveç kësaj nën akull janë stacionuar nëndetëset e fuqishme Ajkula, gjithsej 6 sosh, e që janë superiore në raport me nëndetëset e vendeve perëndimore.
Aeroplanët luftarak Mig-31, të cilët kanë predispozita të larta për fluturime në hapësira me ajër tjetër dhe me shtypje atmosferike, siç është Arktiku, gjithashtu është një adut për luftë kundër aeroplanëve luftarakë amerikanë. Aktualisht Rusia ka mbi 200 aeroplanë Mig-31.
E njëjta vlen edhe për bombarduesit Tu-95 dhe Tu-142, të cilët gjithashtu janë të krijuar për hapësira specifike siç është Arktiku, shkruan National Interest.
Këta bombardues do të jetë e vështirë ti eliminosh në një hapësirë prej 5 mijë kilometrash, sa është radiusi luftarak i Arktikut, thotë eksperti ushtarak Robert Farli, për revistën National Interest
Farli potencon se në Arktik janë pozicionuar njësi të ndryshme elitare të ushtrisë speciale të Rusisë, të cilat që nga epoka e Bashkimit Sovjetik janë stërvitur për sulme ndaj NATO-s dhe për luftë në rrethana të jashtëzakonshme.