UNICEF kremton 70 vjetorin e angazhimit për fëmijët më të cenuar në botë
Prishtinë, 12 dhjetor - Në 70 vjetorin e themelimit të tij, UNICEF-i feston progresin e madh të cilin e ka bërë për fëmijët e botës - dhe bën edhe një herë thirrje urgjente për arritjen e miliona fëmijëve jetët dhe e ardhmja e të cilëve rrezikohen nga konfliktet, krizat, varfëria, pabarazia dhe diskriminimi.
UNICEF-i u themelua pas Luftës së Dytë Botërore për të sjellë ndihmë dhe shpresë për të gjithë fëmijët që janë në rrezik apo në nevojë pavarësisht se në cilin shtet jetojnë apo çfarë roli ka luajtur ai shtet në luftë. Misioni ynë është po aq urgjent dhe universal edhe sot, tha Drejtori Ekzekutiv i UNICEF-it, Anthony Lake.
Me kaq shumë fëmijë në mbarë botën që janë në nevojë, ne po ripërkushtohemi që të arrijmë rezultate për secilin fëmijë.
Organizata u themelua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për tu ndihmuar fëmijëve të Evropës, Kinës dhe Lindjes së Mesme të pasluftës.
I financuar plotësisht nga kontributet vullnetare të qeverive, shoqërisë civile, sektorit privat dhe qytetarëve të shqetësuar, shumë shpejt e zgjeroi ndikimin e vet dhe deri në vitin 1955 po punonte për fëmijët në më shumë se 90 shtete.
Sot, UNICEF-i është organizata më e madhe e fëmijëve në botë, e cila punon me partnerë në 190 shtete dhe territore dhe me përkushtimin e 13,000 pjesëtarëve kombëtar dhe ndërkombëtar të stafit për ta arritur secilin fëmijë.
Vizioni i UNICEF-it për 70 vitet e ardhshme është një botë në të cilën puna jonë nuk do të jetë më e nevojshme një botë në të cilën çdo fëmijë është i shëndetshëm, i sigurtë, i arsimuar, i mbrojtur dhe me njerëz që kujdesen për ta... dhe ku të gjithë fëmijët mund të arrijnë potencialin e tyre të plotë, thotë Lake.
Kjo është gjëja e duhur për tu bërë dhe rruga më e sigurtë për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.