UNICEF apelon për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri
Tiranë, 12 qershor - Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) i kërkoi të enjten autoriteteve shqiptare të marrin masa konkrete për të ndaluar shfrytëzimin e punës së të miturve, njofton Albanian Daily News.
Duke cituar të dhëna të Institutit Shqiptar të Statistikave, në raportin e UNICEF-it thuhet se gjatë vitit 2012 në Shqipëri punonin 57 mijë të mitur.
Të miturit e grupmoshës 5-13 vjeç përbëjnë 28.5% të të miturve të punojnë, ndërsa 80% e tyre nuk paguhen për punën e kryer në pronat e familjeve në bujqësi.
Studimi i UNICEF-it për gjendjen e fëmijëve të rrugës raporton se rreth 2500 të mitur shqiptarë të kësaj kategorie kryejnë punë të rrezikshme si lypja apo pastrimi i xhamave të makinave. Pjesa më e madhe e të miturve që punojnë kanë braktisur shkollën.
Sipas legjislacionit shqiptar, për të miturit e moshës 6-16 vjeç shkollimi është i detyrueshëm. Mungesa e një sistemi arsimor gjithpërfshirës dhe cilësor është një ndër arsyet që i detyron të miturit të punojnë.