12 Janar 2025

UNHCR: Numri i refugjatëve sirianë kalon katër milionë

Prishtinë, 9 korrik - Numri i refugjatëve që ikin nga konflikti në Siri në vendet fqinje ka kaluar tashmë katër milionë, duke konfirmuar se kjo është kriza më e madhe në botë e refugjatëve e shënuar për një çerek shekulli nën mandatin e UNHCR-së.

Të dhënat e përditësuara nga autoritetet turke për refugjatët, pas të ardhurve të fundit në Turqi shënojnë se tashmë në atë vend dhe në vendet fqinje numri i refugjatëve sirianë ka arritur në 4.013.000.
 
Për më tepër, të paktën 7.6 milionë njerëz janë të zhvendosur brenda Sirisë - shumë prej tyre në rrethana të vështira dhe në vende të largëta që janë vështirë për t’u arritur.
 
\"Kjo është popullsia më e madhe e refugjatëve nga një konflikt i vetëm, në një brez. Kjo është një popullsi që ka nevojë për mbështetjen e botës, dhe e cila jeton në kushte të tmerrshme dhe që po zhytet më thellë në varfëri“, tha Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Antonio Guterres.
 
Tragjike dhe pa asnjë zgjidhje në horizont për luftën në Siri, tani në vitin e saj të pestë, kriza është intensifikuar dhe numri i refugjatëve është në rritje. Nga tre milionë refugjatë sirianë, pas vetëm dhjetë muaj, numri i tyre arrin në katër milionë. Sipas trendit aktual pritet që deri në fund të këtij viti, kjo shifër të arrijë në rreth 4,27 milionë refugjatë sirianë.
 
\"Kushtet e përkeqësuara drejtojnë një numër në rritje të refugjatëve drejt Evropës dhe më larg, por shumica dërmuese e tyre mbetet në rajon\", shtoi ai. \"Ne nuk mund të lejojmë që ata dhe komunitetet pritëse të rrëshqasin më tej në dëshpërim\".

Ikjet e refugjatëve në qershor të këtij viti shënuan më shumë se 24.000 njerëz të vendosur në Turqi nga Tel Abyad dhe pjesë të tjera të Sirisë veriore. Turqia është tashmë vendi pritës me numrin më të madh të refugjatëve në botë dhe strehon rreth 45 për qind të të gjithë refugjatëve sirianë në rajon.
 
Numri prej katër milionë refugjatë përbëhet nga 1,805,255 refugjatëve sirianë në Turqi, 249.726 në Irak, 629.128 në Jordani, 132.375 në Egjipt, 1,172.753 në Liban dhe 24.055 në Afrikën e Veriut. Në këtë numër nuk janë përfshirë më shumë se 270,000 azil-kërkues sirianë në Evropë, dhe mijëra të tjerë të zhvendosur në vende të tjera në rajon.

Financimi i situatës së refugjatëve sirianë është bërë një problem i vështirë. Për vitin 2015, UNHCR ka vlerësuar se në tërësi janë të domosdoshme mjetet prej 5,5 bilion dollarë amerikan në ndihmë humanitare ndërkombëtare dhe zhvillim.

Një pjesë e konsiderueshme e këtij financimi ka për qëllim të parandalojë vendet kryesore pritëse të refugjatëve të rajonit që të mos ngarkohen së tepërmi dhe të mos bëhen të paqëndrueshme. Sidoqoftë, në fund të qershorit, më pak se një e katërta e kësaj shume (24 për qind) janë pranuar. Kjo do të thotë se refugjatët po përballen me shkurtime të reja e të ashpra në ndihma ushqimore, dhe luftojnë për të përballuar shpenzimet për shërbimet shëndetësore e për shkollimin e fëmijëve të tyre.
 
Jeta e sirianëve në ekzil është gjithnjë e më e vështirë. Rreth 86 për qind e refugjatëve që janë jashtë kampeve në Jordani jetojnë nën nivelin e varfërisë prej 3,2 dollarë në ditë. Në Liban, 55 për qind e refugjatëve jetojnë në strehimore të cilat janë nën-standardin e pranueshëm.
 
Në të gjithë rajonin, shpresa e kthimit në shtëpi është duke u pakësuar ngase kriza po zgjatet. Refugjatët bëhen më të varfër dhe praktikat negative për të përballuar këtë, të tilla si puna e fëmijëve, kërkimi i lëmoshës dhe martesat e hershme të fëmijëve janë në rritje. Kërkesat për punësim, tokë, strehim, ujë dhe energji në komunitetet pritëse tashmë të varfëruara është ulje e aftësisë së këtyre komuniteteve për t’u përballur me numrin e madh të refugjatëve dhe për të mbajtur mbështetjen e tyre për ta. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)