UNHCR bën thirrje për veprim më të fuqishëm të BE-së për refugjatët
Gjenevë, 5 dhjetor - Në një dokument të paraqitur sot te Bashkimi Evropian (BE), UNHCR, agjencia e OKB-së për refugjatët, bëri thirrje për një reformë të gjerë për angazhim global të Evropës me refugjatët, duke përfshirë sistemin evropian të azilit.
UNHCR i bëri thirrje Evropës të ofrojë më shumë mbështetje strategjike dhe të përcaktuar për vendet e origjinës, të azilit dhe transitin e refugjatëve, për të rishikuar përgatitjet e saj të emergjencës për t\'iu përgjigjur numrit të madh të të ardhurve refugjatë dhe emigrantë, si dhe për të vënë në vend një sistem më efikas dhe të menaxhuar më mirë të azilit.
Po ashtu kërkoi investim më të madh nga ana e shteteve anëtare të BE-së në integrimin e refugjatëve, duke përfshirë strehimin, punësimin dhe trajnimin gjuhësor.
\"Vitin e kaluar, Evropa dështoi të vë në zbatim një përgjigje kolektive ndaj sfidave të krijuara nga ardhja e mbi një milion refugjatëve dhe emigrantëve\", tha Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët Filippo Grandi.
\"Kjo rezultoi me skena të kaosit në kufi, duke çuar në një ndarje për sa i përket besimit të publikut në kapacitetin e qeverive për të menaxhuar situatën dhe duke e lënë atë në duart e atyre që donin të kthejnë refugjatët në kokë turku.\"
\"Është e rëndësishme që shtetet anëtare të BE-së përmes veprimit kolektiv të tregojnë, se Evropa është në gjendje të angazhohet në mënyrë efektive dhe parimore me lëvizjet e refugjatëve, duke ndihmuar në stabilizimin e fluksit të refugjatëve për një afat të gjatë përmes angazhimit të jashtëm më strategjik - ndërsa në të njëjtën kohë, duke vazhduar për të mirëpritur refugjatët në Evropë\".
Dokumenti i UNHCR-së \"Mbrojtja më e mirë e refugjatëve në BE dhe në aspektin global\" përcakton një vizion praktik për mënyrën se si kjo mund të arrihet si brenda BE-së po ashtu edhe në nivel global. Ndër propozimet kryesore janë masat e shënjuara për të trajtuar arsyet se pse refugjatët po largohen dhe po lëvizin tutje, shtimin e rrugëve të sigurta për refugjatët drejt Evropës, dhe një sistem i thjeshtuar për azil që do të identifikojë, regjistrojë dhe do të procesojë shpejt të ardhurit dhe në mënyrë efikase, dhe në një rrugë të gjatë do të rivendosë besimin e publikut.
\"Tani është momenti për një vizion të ri për angazhimin e Evropës me krizën globale të refugjatëve\", tha Grandi, \"duke u mbështetur në historinë e saj të tolerancës, transparencës dhe duke u mbështetur në parimet e mbrojtjes, por edhe me një qasje pragmatike dhe praktike. Historia ka treguar se Evropa është më e fortë, kur ajo adreson sfidat e saj së bashku, dhe unë besoj fuqimisht se kjo është ende e mundur sot\".
Duke u mbështetur në elementet e sistemit ekzistues të përbashkët evropian të azilit dhe disa nga reformat e propozuara nga Komisioni Evropian, propozimet e UNHCR-së do të rezultojnë në një sistem të thjeshtuar të azilit që do të sigurojë qasje në territor, të regjistrojë dhe të presë të sapo ardhurit në mënyrë duhur, të ndajë përgjegjësinë për azilkërkuesit në mesin e shteteve anëtare të BE-së dhe të sigurojë që shtetet anëtare kanë atë që u duhet për të përmbushur detyrën.
Reformat e propozuara të UNHCR-së do të garantojnë të drejtën për azil, do të rrisin sigurinë e identifikimit, do të lehtësojnë menaxhimin efikas të lëvizjeve të popullsisë dhe potencialisht do të mund të zvogëlonin shpenzimet.
Propozimet përfshijnë një sistem të përbashkët evropian të regjistrimit, procedura të përshpejtuara dhe të thjeshtuara për përcaktimin e azilit, prioritizimin e bashkimit familjar, një qasje të përbashkët për fëmijët e pashoqëruar dhe të ndarë, një mekanizëm të shpërndarjes për shtetet anëtare nën presionin e numrit të madh të të ardhurve dhe të një sistemi efikas për kthimin e individëve, të cilët nuk janë në nevojë për mbrojtje në vendet e tyre të origjinës.