Ukraina tronditet sërish nga granatat
Kiev, 7 shtator - Shpërthime të fuqishme pranë qytetit jug-lindor Mariupol, të Ukrainës, kanë kërcënuar armëpushimin e brishtë që u vendos mes forcave qeveritare dhe rebelëve pro-rusë.
Një korrespondent i BBC tha se shpërthimet intensive në skajet lindore tronditën gjithë qytetin mbrëmjen e vonë të së shtunës. Luftimet u ndalën vetëm në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.
Të shtunën, presidenti i Ukrainës dhe ai i Rusisë bënë me dije se armëpushimi në Ukrainën lindore është arritur kryesisht.
Ai u nënshkrua gjatë bisedimeve midis përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe rebelëve pro-rusë në Rusi dhe Bjellorusi, dhe hyri në fuqi të premten.
Për 24 orë nuk pati raportime për luftime të mëdha në lindje, por të shtunën në mbrëmje u dëgjuan shpërthime të fuqishme granatash në Mariupol. Një pikë kontrolli e qeverisë në pjesën lindore të qytetit thuhet se është shkatërruar.
Sipas dëshmitarëve, rebelët ishin ata që nisën bombardimin, ndërsa forcat qeveritare u përpoqën që të kundërvepronin por baza e tyre ishte shkatërruar përfundimisht.
Aktualisht zona është edhe një herë e qetë. Është e qartë se kjo ishte një shkelje e rëndë e asaj që mund të quhej një armëpushim i brishtë. Mariupoli është një qytet i rëndësishëm që ka një port në bregdetin e Detit Azov.
Gjithashtu ai shtrihet përgjatë një autostrade kryesore që të çon në Krime, e cila është aneksuar nga Rusia në fillim të këtij viti. Ai është një nga qytetet më të rëndësishme në jug-lindje të Ukrainës, dhe mbetet në duart e qeverisë, por separatistët synojnë që kjo pikë e rëndësishme të jetë nën kontrollin e tyre.