Ukraina kërkon që Rusia të mos ketë të drejtë të vetos në OKB
Kiev, 17 shtator - Ukraina i ka shtuar përpjekjet për kufizimin e vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, meqë Kievi thotë se i ka mundësuar qeverisë së Rusisë, që ta bllokoj aksionin ndërkombëtar për ndëshkimin e Moskës për agresion.
Parlamenti i Ukrainës sot e ka miratuar rezolutën, e cila kërkon reformë urgjente në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Rusia e ka të drejtën e vetos, si njëra nga pesë vendet anëtare të përhershme.
Në rezolutë, po ashtu, kërkohet që vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara të ndërmarrin të gjitha masat e mundshme për ta ndalur agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.
Rusia e ka aneksuar Krimenë e Ukrainës vitin e kaluar dhe, sipas Kievit e perëndimit, i ka mbështetur separatistët pro-rusë në luftën e tyre kundër forcave qeveritare të Ukrainës, në pjesën lindore të këtij vendi.