Turqia kërkon zyrtarisht arrestimin e Gulenit
Ankara, 14 shtator - Media turke tha se qeveria e Ankarasë bëri kërkesën e parë zyrtare që Shtetet e Bashkuara të arrestojnë klerikun e fajësuar për drejtimin e një grushti të dështuar shteti në muajin korrik.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan e ka akuzuar vazhdimisht klerikun Fethullah Gulen si organizatorin e një përpjekjeje për grusht shteti që la të paktën 270 të vrarë.
Njoftimet turke thonë se kërkesa me shkrim e akuzon Gulenin se ka dhënë urdhëra dhe ka komanduar operacionin. Zyrtarët turq kanë kërkuar jozyrtarisht ekstradimin e zotit Gulen për javë me radhë.
75 vjeçari jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara qysh nga viti 1999 dhe ka mohuar të jetë përfshirë në përpjekjet për grusht shteti.
Përveç përpjekjeve për ekstradimin e zotit Gulen në Turqi, qeveria e Erdoganit ka ndërmarrë një goditje të gjerë gjatë dy muajve të fundit që përfshin pushimin nga puna të 80 mijë punonjësve të sektorit të shërbimit civil, mësuesve, avokatëve dhe të tjerëve që besohet të kenë pasur lidhje me Gulenin ose kanë qënë të përfshirë në komplot. Shumë prej tyre janë arrestuar.
Presidenti amerikan Barack Obama i tha zotit Erdogan në takimin e G-20 javën e kaluar se qeveria e tij është gati të ofrojë mbështetjen e nevojshme për të hetuar grushtin e shtetit dhe për të nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë.
Por zyrtarët amerikanë kanë thënë se çdo ekstradim duhet të miratohet nga sistemi amerikan i drejtësisë.