Turqia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme
Ankara, 19 gusht - Turqia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Lajmi u bë i ditur nga vetë Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogna, gjatë një deklarate në televizionin kombëtar.
\"Për shkak të dështimit për të formuar një qeveri, ne kërkojmë një zgjidhje me vullnetin e popullit\", deklaroi Erdogan, raporton \"Reuters\".
Dje, Kryeministri Ahmet Davutoglu deklaroi se, pas dështimit të bisedimeve me nacionalistët e MHP-së, vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Partia AK e Ahmet Davutoglu e humbi mazhorancën e saj qeverisëse 12-vjeçare në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit.
Edhe pse partia e Davutoglusë siguroi 41% të votave në votimet e qershorit, sërish i është dashur të kërkojë mbështetjen e një force politike rivale për krijimin e koalicionit, por dështoi në arritjen e një marrëveshjeje me CHP-në mbi çështje që kishin të bënin me arsimin dhe politiken e jashtme.
Pasiguria në skenën politike turke vjen gjatë përshkallëzimit të dhunës brenda kufijve të Turqisë, si edhe dy fqinjëve të saj, Sirisë dhe Irakut.