Trump paralajmëron masa të rrepta ndaj Koresë së Veriut
Varshavë, 6 korrik - Presidenti Donald Trump njoftoi sot nga Varshava se është duke shqyrtuar disa masa të rrepta si kundërpërgjigje ndaj provave të fundit me raketë të Koresë së Veriut.
Koreja e Veriut u paralajmërua edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i cili deklaroi përkrah Kryeministrit të Japonisë në Bruksel, se Peniani duhet të ndalë të gjitha programet e tij të raketave, armëve bërthamore dhe të shkatërrimit në masë.
Nga Varshava, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ai është duke shqyrtuar disa masa të rrepta që mund të shërbejnë si një kundërpërgjigje ndaj provës së fundit të Koresë së Veriut me raketë.
Është një periudhë kritike për botën. Shikoni se çpo ndodh. Jo vetëm duhet të mbrojmë vendet tona nga terrorizmi, por duhet edhe të përballemi me kërcënimin nga Koreja e Veriut. Është një kërcënim, me të cilin do të përballemi me shumë forcë. Presidenti polak Andrzej Duda dhe unë u bëjmë thirrje të gjitha vendeve të përballen me këtë kërcënim global dhe ti demonstrojmë publikisht Koresë së Veriut se do të ketë pasoja për sjelljen e saj shumë negative... Do të shohim se çdo të ndodhë. Nuk më pëlqen të flas për planet tona, por po shqyrtojmë disa masa tepër të rrepta, deklaroi Presidenti Trump.
Provat e Koresë së Veriut kanë alarmuar edhe Aleancën e Atlantikut. Nga Brukseli, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi sot Korenë e Veriut, ndërsa po takohej me Kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe:
Pozicioni ynë është shumë i qartë: Korea e Veriut duhet të përmbushë të gjitha detyrimet e saj ndërkombëtare. Duhet të ndalë të gjitha aktivitetet e lidhura me raketat balistike dhe programet bërthamore. Duhet të braktisë përgjithmonë të gjitha programet e armëve të shkatërrimit në masë dhe të angazhohet në dialog me komunitetin ndërkombëtar, deklaroi zoti Stoltenberg.
Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe tha se situata e sigurisë në rajon është përkeqësuar ndjeshëm:
Krahasuar me tre vjet më parë, situata e sigurisë është bërë më sfiduese, me zhvillimin e raketave dhe armëve bërthamore nga Korea e Veriut, si dhe me situatën në detet e Kinës Jugore dhe Lindore. Në këtë kontekst, duhet të forcojmë edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet Japonisë, SHBA-së dhe Evropës bazuar në vlerat tona të përbashkëta, tha zoti Abe.
Provat e fundit të Koresë së Veriut shihen si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Presidentit amerikan Donald Trump, një ndër zotimet e të cilit ka qenë se do të pengojë Korenë e Veriut të krijojë kapacitetin për të goditur bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara.
Vetëm dy ditë më parë, Koreja e Veriut lëshoi një raketë ndërkontinentale që besohet se mund të arrijë territoret amerikane në Oqeanin Paqësor. Koreja e Veriut deklaroi se kjo lloj rakete mund të transportojë gjithashtu mbushje bërthamore.