Trump dhe Putin pritet të zhvillojnë sot një bisedë telefonike
Washington, 28 janar - Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin pritet të zhvillojnë sot një bisedë telefonike.
Ky do të jetë kontakti i parë mes tyre që kur Donald Trumpi u bë president i Shteteve të Bashkuara. Por ata kanë folur me njëri-tjetrin më parë, kur biseduan në nëntor pas fitores së zotit Trump në zgjedhje.
Dy udhëheqësit kanë shprehur dëshirën për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve, pasi folën në nëntor.
Udhëheqësi amerikan tha se dëshiron një marrëdhënie më të mirë me Rusinë dhe Presidentin Putin, se sa para-ardhësi i tij, Barak Obama.
Trump ka përmendur mundësinë e heqjes së sanksioneve që i ka vënë Rusisë administrata Obama.
Kritikët e zotit Trump shprehin dilema për këtë marrëdhënie me Putinin.
Ish-kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton ka thënë se Donald Trumpi ishte kukulla e Putinit, ndërsa shërbimet amerikane të zbulimit, siç njoftohet, e kanë informuar presidentin e ri mbi ndërhyrjet ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane në favor të tij.
Presidenti Trump i ka hedhur poshtë aludimet se fitoi në zgjedhje falë ndihmës së Rusisë.