Themelohet rrjeti i të rinjve dhe i juristëve shqiptarë në Itali
Romë, 10 qershor - Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës, në përpjekjet e vazhdueshme për organizimin sa më të mirë të shoqatave dhe individëve në diasporë, ka iniciuar krijimin e katër rrjeteve në Republikën e Italisë, Rrjetin e të Rinjve dhe të Studentëve në Romë dhe Treviso, si dhe Rrjetin e Juristëve në po të njëjtat qytete.
Në Treviso, në prani të një numri të konsiderueshëm të bashkatdhetarëve, brenda një dite, kur u shënua edhe dita e fundit e shkollës së mësimit plotësues të gjuhës shqipe për këtë vit shkollor, u krijua rrjeti i juristëve, pas një debati me diskutime për shumë çështje, në mesin e të cilave edhe propozimet për ndryshim-plotësimin e Ligjit të Diasporës dhe Mërgatës.
Të kënaqur me iniciativën e Ministrisë së Diasporës, për ta dëgjuar edhe zërin e bashkatdhetarëve në hartimin dhe ndryshimin e një dokumenti kaq të rëndësishëm, të pranishmit e vlerësuan lart procesin e krijimit të rrjeteve. Ata e zgjodhën koordinatore avokaten Ermira Zhuri nga Treviso.
Mentor Borovci, drejtor i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Diasporës, shpalosi projektet dhe iniciativat e ministrisë, derisa foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ekspertëve ligjorë në shumë fusha, që do të ndihmonte në integrimin sa më të mirë të komunitetit shqiptar, por do ti ndihmonte edhe Kosovës në proceset e mëtutjeshme.
Gjatë pasdites, edhe të rinjtë e studentët, të cilët tashmë ishin njohur me projektin e inicimit të rrjeteve të studentëve dhe të rinjve, krijuan rrjetin e tyre me seli në Treviso. Koordinatore u zgjodhën Iliriana Dobërdolani nga Trieste dhe Edonë Thaqi nga Padova, ndërsa në trupin koordinues u inkuadruan edhe Gëzim Cikaqi nga Treviso dhe Besmir Hoxha nga Bonzano Padova.
Për diskutim u shtruan shumë çështje rreth qëllimit, formës dhe objektivave të rrjetëzimit rinor dhe atij studentor, ndërsa iniciativa mori përkrahje dhe përkushtim për ndihmë e bashkëpunim edhe nga Rrjeti i Bizneseve të Italisë dhe nga shoqatat tashmë të krijuara në pjesën veriore të Gadishullit Apenin.
Procesi i krijimit të rrjetit të juristëve vazhdoi edhe në Romë. Në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Romë, përkatësisht me ambasadoren Bukurie Gjonbalaj, si dhe Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë, përkatësisht ambasadorin prof. Neritan Ceka u mbajt takimi me juristët nga Roma, si dhe me të rinj e studentë nga kryeqyteti italian.
Koordinator i rrjetit të juristëve u zgjodh prof.dr. Ersi Bozheku, ndërsa anëtarë Uljana Gazidede dhe Arjoll Kombi, njëkohësisht profesor në Universitetin La Sapienza në Romë, kurse koordinatorë të rrjetit të studentëve u zgjodhën Arife Ibrahimi, Bardh Prenkaj dhe Leutrim Ibrahimi.