The Guardian: Londra kundër Serbisë në BE
Londër, 5 dhjetor - Gazeta prestigjioze britanike The Guardian shkruan se përveç Gjermanisë, edhe Britania e Madhe, Austria dhe Holanda janë kundër vendimit të Komisionit Evropian që Serbia të fitojë statusin e vendit kandidat në BE.
\"Ne duam që të shohim përkushtim të fortë të Serbisë në dialogun me Kosovën\", ka thënë ministri i Jashtëm William Hague, teksa Britania iu bashkua Gjermanisë, Austrisë e Holandës në kërcënimin për përdorim të vetos për vendimin, transmeton INA njoftimet.
Më tej, gazeta shkruan se kjo javë do të jetë e rëndësishme për Ballkanin, nëse rajoni i trazuar në dekadat e fundit do të niset në rrugën e pakthyeshme drejt BE-së, apo të vazhdoj të përpëlitet nën ethet e tensioneve kërcënuese të vazhdueshme.
Pamjet e ditëve të fundit në veri të Kosovës, The Guardian i krahason me ngjarjet e kohërave të luftës në Jugosllavi në vitet 90-ta.
\"Nëse Serbia nuk fiton statusin e kandidatit, atëherë punët do të shkojnë keq në Ballkan. Një Serbi e frustruar do të fokusohet në Kosovë, Bosnjë e Mal të Zi. Pastaj do të keni një vrimë të zezë në Ballkan\" shkruan gazeta teksa citon zyrtarë të lartë evropianë dhe ekspertë.