Thahet Deti Aral
Flordia, 30 shtator - Liqeni i katërt më i madh në botë, pellgu lindor i Detit Aral, në Azinë qendrore, tani është tharë plotësisht.
Kjo ka ndodhur si rezultat i një projekti gjatë periudhës sovjetike për të devijuar lumenjtë në ndihmë të bujqësisë, por edhe për shkak të mungesës së reshjeve të shiut.
Në faqen e NASA-s earthobservatory.nasa.gov, janë publikuar disa imazhe satelitore të kapura nga gushti i vitit 2000 deri në gusht të vitit 2014.
Në to duket qartë që nga viti në vit, pellgu lindor i Detit Aral pakëson sasinë e tij të ujit.
Kjo është hera e parë që baseni lindor thahet plotësisht në kohërat moderne dhe ka të ngjarë që kjo të jetë hera e parë që ai të jetë tharë plotësisht në 600 vitet e fundit, tha Filip Miklin, një ekspert i Detit Aral nga universiteti i Miçiganit.
Me qëllim për të rritur prodhimin e pambukut në rajonet afër stepave, inxhinierët sovjetikë në vitet 50-të dhe 60-të shmangën rrjedhën e dy lumenjve që derdheshin në liqen, Amu Darya dhe Syr Darya.
Si rezultat, shtrati i liqenit u ndot nga kimikatet e përdorura për kulturat bujqësore. Uji u bë gjithnjë e më shumë i kripur, duke vrarë shumicën e specieve ujore dhe shkatërruar përfundimisht industrinë e peshkimit në rajon.
Tharja është ndikuar edhe nga faktorë atmosferikë, si mungesa e reshjeve në malet Pamir, të shtrirë midis Kazakistanit dhe Uzbekistanit, rrjedhat e të cilëve mbanin gjallë shpirtin e këtij baseni.