10 Janar 2025

Të gjeturat kryesore të Raportit 2016 për Kosovën

Kriteret politike

Bruksel, 9 nëntor - Polarizimi mes qeverisë dhe opozitës ka vazhduar. Funksionimi normal parlamentar është penguar përgjatë një pjese të periudhës kohore të përfshirë në këtë raport, duke përfshirë përdorimin e mjeteve të dhunës nga ana e anëtarëve të opozitës.

Të gjitha partitë politike duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të ri-angazhohen për një dialog konstruktiv, me kuvendin si forumi kryesor për debat politik. Kthimi i kohëve të fundit i anëtarëve të opozitës në aktivitetet parlamentare është një hap i mirëpritur.

Institucionet e Kosovës kanë përmbyllur obligimet e mbetura për themelimin e Dhomave të Posaçme dhe Zyrës së Prokurorisë së Posaçme për të hetuar dyshimet për krime ndërkombëtare të kryera gjatë dhe pas konfliktit të vitit 1999.

Procedurat për marrëveshjen bilaterale me vendin nikoqir të Dhomave të Specializuara (Holandën) janë përmbyllur. Në qershor 2016, mandati i EULEX-it është zgjatur deri në qershor të vitit 2018.

Kuvendi kompletoi shumicën e emërimeve të diskutueshme nëpër institucionet e pavarura dhe agjenci. Megjithatë, emërimet ishin shpesh objekt i ndikimit politik. Kjo e dëmton funksionimin e pavarur dhe menaxhimin efikas të këtyre organeve. Janë të nevojshme përpjekje më të mëdha për tu siguruar që emërimet bëhen mbi bazën e meritave.

Ka një nivel të përgatitjes në fushën e reformës së administratës publike. Një progres i mirë përfshinë miratimin e strategjisë gjithëpërfshirëse për manaxhim financiar publik dhe të ligjit për procedurat e përgjithshme administrative.

Vazhdimi i politizimit të administratës publike, megjithatë, mbetet një shqetësim serioz. Organizimi i administratës shtetërore është e fragmentuar dhe nuk siguron linja efekase të llogaridhënies, dhe mbivendosja e përgjegjësive në agjencitë qeveritare duhet të adresohet.

Mbikëqyrja parlamentare e aktiviteteve të qeverisë duhet të rritet. Rekomandimet e institucioneve mbikëqyrëse duhet të ndiqen, për të siguruar qeverisje të përmirësuar dhe llogaridhënie.

Sistemi gjyqësor i Kosovës është në një fazë të hershme. Hapa të rëndësishëm pozitiv janë ndërmarrë gjatë periudhës raportuese me miratimin e amendamenteve të kushtetutës dhe legjislacionit më të nevojshëm dytësor për të zbatuar ligjet e pakos 2015 për drejtësi.

Kosova ka emëruar gjithashtu edhe shumicën e anëtarëve të institucioneve kryesore dhe ka vazhduar të rrisë normën e saj të pastrimit të rasteve. Megjithatë, administrimi i drejtësisë është i ngadalshëm dhe joefikas, dhe ka llogaridhënie të pamjaftueshme të zyrtarëve gjyqësorë.

Gjyqësori është ende i dobët për të larguar ndikimin politik dhe institucionet e sundimit të ligjit vuajnë nga mungesa e fondeve dhe burimeve njerëzore.

Kosova është në një fazë të hershme/ka një nivel të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit.

Kosova ka forcuar kapacitetet e saj institucionale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, me krijimin e një ekipi multidisiplinar hetimor, krijimin e një mekanizmi përcjellës për rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe rastet e krimit të organizuar, si dhe me forcimin e departamentit për krime të rënda në gjykatat themelore.

Kjo ka çuar në rritjen e numrit të rasteve të nivelit të lartë që hetohen dhe ndiqen penalisht.

Megjithatë, korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem shumë serioz. Është i domosdoshëm një vullnet i fortë politik për ta trajtuar këtë në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Numri i hetimeve dhe dënimeve përfundimtare mbetet i ulët.

Mangësitë në legjislacion janë të pranishme dhe zbatimi duhet të përmirësohet në mënyrë të veçantë në çështjen e pastrimit të parave, konfiskimin dhe sekuestrimin e aseteve si dhe hetimin financiar.

Ndikimi i tepruar gjatë hetimeve dhe mungesa e përkushtimit strategjik politik e pengon luftën kundër krimit të organizuar. Kosova ka vazhduar përpjekjet e saj për të luftuar terrorizmin, por ende përballet me sfida në këtë fushë.

Është arritur pak progres në fushën e të drejtave të njeriut, me disa hapa të ndërmarrë në zbatimin e pakos së ligjeve për të drejtat e njeriut të vitit 2015 dhe deklarimeve për përkrahjen e të drejtave të personave LGBTI.

Megjithatë, zbatimi vazhdon të pengohet për shkak të mungesës së burimeve dhe përkushtimit politik, në veçanti në nivel lokal.

Më shumë duhet të bëhet për të garantuar në mënyrë efikase të drejtat pronësore dhe të adresohet çështja e kthimit dhe ri-integrimit të personave të zhvendosur, mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe kundërshtimi i dhunës mbi baza gjinore.

Mbrojtja e të drejtave të personave që u përkasin minoriteteve dhe personave me aftësi të kufizuara duhet të forcohet në mënyrë të konsiderueshme.

Kosova ka një nivel të përgatitjes në fushën e lirisë së shprehjes. Ka pasur zhvillime shqetësuese gjatë periudhës raportuese, duke përfshirë një numër të kërcënimeve kundër gazetarëve.

Kuvendi ka treguar përkushtim të kufizuar në gjetjen e një zgjidhjeje për financim të qëndrueshëm të transmetuesit publik, duke e lënë atë të pambrojtur ndaj presioneve politike. Nuk ka pasur zhvillime legjislative për rregullimin e pronësisë së medias dhe transparencës.

Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kosova mbeti e përkushtuar në implementimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Progresi ishte i kufizuar, edhe për shkak të procesit zgjedhor në Serbi dhe të situatës së brendshme në Kosovë.

Megjithatë, gjërat ri-filluan të lëvizin në gusht 2016 me fillimin e punës në urën e Mitrovicës dhe lirinë e lëvizjes. Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të zbatuar marrëveshjet tashmë të arritura. Hapat e ndërmarrë duhet të kenë një ndikim pozitiv dhe konkret në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë dhe Serbi.
 
Kriteret ekonomike
Kosova është në një fazë të hershme në zhvillimin e një ekonomie funksionale të tregut. Janë bërë disa përparime, sidomos në mbështetjen e bizneseve të orientuara nga eksporti, përmirësimin e zbatimit të kontratave, veçanërisht në sektorin financiar dhe qasjen në financa.

Megjithatë, vendimet e paqëndrueshme fiskale në lidhje me përfitimet e veteranëve të luftës mund të kenë një efekt negativ në stabilitetin makroekonomik të Kosovës dhe marrëdhëniet e saj me institucionet financiare ndërkombëtare.

Deficiti i vazhdueshëm tregtar reflekton një bazë të dobët të prodhimit dhe aftësi të dobët konkurruese ndërkombëtare.

Mbështetja në remitenca dhe ekonomia e shumëpërhapur informale e ulë edhe më shumë nxitjen e punësimit, duke rezultuar në pjesëmarrje të ulët të fuqisë punëtore, veçanërisht të grave, dhe shkallë të lartë të papunësisë, veçanërisht në mesin e punëtorëve të rinj dhe të pakualifikuar.

Kosova është në një fazë të hershme në ndërtimin e kapacitetit për tu përballuar me presionet konkurruese dhe forcat e tregut brenda Unionit. Nuk ka përparim në përmirësimin e cilësisë së arsimit, që paraqet bazën kryesore për të përmirësuar rritjen afatgjate ekonomke dhe konkurrencën.

Legjislacioni i BE-së

Kosova është në një fazë të hershme të përafrimit me standardet evropiane. Përafrimi legjislativ ka vazhduar në disa fusha, por zbatimi është i dobët. Është bërë pak progres në fushën e prokurimit publik dhe konkurrencës.

Është bërë progres i mirë në fushën e doganave, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, në mbledhjen e të hyrave dhe në uljen e kostos administrative për eksport, por Kosova duhet të rris luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal.

Sektori i energjisë vazhdon të përballet me probleme, me mungesë përparimi sa i përket mbylljes së termocentralit Kosova A apo renovimit të Kosovës B, dhe shumë pak progres të bërë në energjinë e ripërtëritshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)