Tahiri në konferencën ndërkombëtare të Lobit Rajonal të Grave
Sarandë, 24 shtator - Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare të Lobit Rajonal të Grave me temën Drejt rrugës për të fuqizuar gratë në politikë, proceset paqësore dhe integrimin në BE, që u mbajt në Sarandë, më 18 dhe 19 shtator.
Në këtë konferencë, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri e cila njëherësh është edhe Kryetare e Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore, në fjalën e saj foli për rëndësinë e fuqizimit të mëtejmë të grave në vendimmarrje dhe procese paqësore në frymën e rezolutave të OKB-së dhe politikave evropiane për barazinë gjinore.
Lobi Grave të Rajonit (RWLSEE) është një model unik në rajon, i cili ka bashkuar gratë lidere nga politika dhe shoqëria civile për të punuar së bashku për të rritur rolin e grave në proceset e rëndësishme të vendimmarrjes dhe proceset paqësore në nivelet shtetërore dhe ndërkombëtare. Gratë janë treguar si një faktor i rëndësishëm për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon duke marrë parasysh potencialet e tyre dhe vizionin për tu marrë më shumë me të ardhmen dhe më pak me të kaluarën, por natyrisht duke mos e harruar të kaluarën tragjike asnjëherë tha znj.Tahiri dhe shtoi se Qeveria e Kosovës i ka kushtuar rëndësi të madhe politikave të barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave dhe pjesëmarrjes së tyre në procese paqësore dhe ndër ilustrimet është fakti se Kryenegociatorja e dialogut të Brukselit është nga bota femërore, që është rast i rrallë në rajon dhe botë, tha znj. Tahiri.
Ajo kërkoi më shumë angazhim të qeverive dhe shoqërisë në përgjithësi për të mbështetur forcimin e rolit të grave në institucionet e qeverisjes dhe në lidershipet në organizata ndërkombëtare, duke potencuar se Lobi i grave të rajonit mund të shërbejë si shembull i mirë i fuqizimit të ndërsjellë mes grave nga shtete të ndryshme.
Në këtë Konferencë ku morën pjesë gra të shquara në rajoni dhe bota, pjesëmarrëset u dakorduan për një deklaratë të përbashkët e cila do të dërgohet në adresa relevante, me qëllim të kërkimit të mbështetjes më të madhe për rolin e grave në proceset e vendimmarrjes, paqes dhe integrimeve evropiane. Teksti integral i Deklaratës është në vijim:
DEKLARATA E SARANDËS
(Sarandë, 19 Shtator 2014): Më shumë se 70 gra të shquara politikane dhe aktiviste të shoqërisë civile nga vendet e Ballkanit Perëndimor u mblodhën se bashku në qytetin e Sarandës në Shqipëri më 18 dhe 19 Shtator 2014, në Konferencën Ndërkombëtare Drejt rrugës për të fuqizuar gratë në politikë, proceset paqësore dhe integrimin në BE, për të diskutuar dhe dakorduar një paketë rekomandimesh se si mund të rritet roli i grave në proceset e paqes dhe sigurisë në rajon dhe vendim-marrjen politike. Integrimit në BE dhe marrëveshjeve të paqes në Rajon iu kushtua vëmendje e veçantë.
Konferenca u organizua nga Lobi Rajonal i Grave për Paqe, Siguri dhe Drejtësi në Evropën Jug Lindore (LRG EJL), në partneritet me Zyrën e UN Women dhe me mbështetjen e qeverisë suedeze dhe qeverisë shqiptare.
Midis pjesëmarrëseve të nivelit të lartë ishin Edita Tahiri, Zëvendëskryeministre e Kosovës; Eglantina Gjermeni, Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit në Shqipëri, Dijana Vukomanovic, Zëvendës Presidente e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS); Ingibjorg Solrun Gisladottir, Drejtoreshë Rajonale e UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore dhe Përfaqësuese e Emëruar e UN Women në Republikën e Turqisë; Elisabeth Rehn, ish ministre e shtetit të Finlandës. Ulrike Lunacek, Zëvendës Presidente e Parlamentit Evropian mori pjesë përmes një video deklarate.
LRG EJL, në bashkëpunim me UN Women dhe të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm në konferencë parashtruan rekomandimet e mëposhtme:
1. Integrimi në Bashkimin Evropian është një projekt paqësor që ka forcën për të transformuar marrëdhëniet midis vendeve dhe popujve në Ballkanin Perëndimor drejt një paqeje dhe stabiliteti të qëndrueshëm, duke përshpejtuar procesin e integrimit të vendeve në BE, ndërkohë që u kërkon vendeve të forcojnë reformat evropiane dhe ti ndihmojë të arrijnë qëllimet e tyre.
2. Të lobojnë në mënyrë të vazhdueshme për proceset e zgjerimit në BE dhe ti shpjegojnë shoqërisë se zgjerimi është një shans për Ballkanin Perëndimor për tiu bashkëngjitur pjesës perëndimore të Evropës, dhe të mbështesin fuqizimin e grave përmes implementimit nga secili vend të politikave dhe standardeve të BE. Gjithashtu, të bëjnë thirrje për rritjen e rolit të grave në proceset e integrimit në BE.
3. Pjesëmarrëset ripërsëriten mbështetjen e tyre për Dialogun e Brukselit duke bërë thirrje për implementimin e plotë dhe efektiv të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më sot. Implementimi i suksesshëm nënkupton një proces gjithëpërfshirës që angazhon të gjitha nivelet e institucioneve publike dhe të shoqërisë. Vëmendje e veçantë i duhet kushtuar dialogut ndëretnik midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Duke qenë se Marrëveshja e Brukselit është e dobishme për të gjithë duke kontribuar në të njëjtën kohë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Dialogu i Brukselit mund të shërbejë gjithashtu dhe si model i ndërtimit të paqes për të zgjidhur dallimet e mbetura në rajon. Roli i grave në këtë dialog duhet të njohë rritje në të gjithë proceset paqësore në vazhdimësi si dhe në ato që do të vijnë në të ardhmen. Fokusimi më shumë në të ardhmen dhe më pak në të shkuarën duhet të shërbejë si një dritë udhërrëfyese për të na çuar drejt një shoqërie paqësore dhe të qëndrueshme.
4. LRG EJL përfaqëson një model suksesi të bashkëpunimit dhe ndërtimit të paqes në rajon dhe duhet të përfshihet si partner në proceset paqësore në rajon, duke qenë model dhe për procese të tjera paqësore në rajone të tjera në botë.
5. Gratë mbeten akoma të nën-përfaqësuara në politikë dhe vendim-marrje. Ne bëjmë thirrje për më shumë përfaqësim të grave në qeveri, në lidership të partive politike, në parlament dhe në pushtetin lokal si kryebashkiake. Ne i inkurajojmë gratë të jenë më aktive në kërkimin e një roli në pozita drejtuese në partitë politike dhe të mos presin tu ofrohen poste drejtuese. Grupet parlamentare të grave në parlament dhe rrjetet e ndryshme midis grave politikane dhe grave të organizatave të shoqërisë civile duhet të jenë të dobishme drejt qëllimit të fuqizimit të grave.
6. Krahas legjislacionit të duhur për të mbrojtur dhe promovuar barazinë gjinore, duhet të ketë më shumë politika afirmuese në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, që mbështesin dhe inkurajojnë më shumë gra për të fituar poste drejtuese në politikë, pasi gratë kanë kapacitete për të marrë përsipër poste drejtuese për përmirësimin e shoqërisë.
7. Duhet të ketë më shumë bashkëpunim efektiv midis grave në politikë dhe atyre të organizatave të shoqërisë civile dhe roli i grave në shoqërinë civile duhet njohur dhe respektuar. Organizatat e shoqërisë civile të grave duhen mbështetur me më shumë burime dhe fonde nga buxhetet e shteteve.
8. Përgatitja e grave të reja lidere për të shërbyer si agjente të ndryshimit përmes krijimit të një akademie rajonale, ku LRG EJL mund të luajë një rol vendimtar.