Tahiri mori pjesë në Samitin Ministror të SEECP në Sofje
Sofje, 2 shkurt - Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, sot mori pjesë në Samitin Ministror të Organizatës së Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) e cila u organizua nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë si kryesuese e radhës e kësaj organizate të rëndësishme rajonale, ku Kosova është anëtare e barabartë me të drejta të plota.
Në këtë takim, që për temë kryesore kishte sfidat kryesore të rajonit të Evropës Juglindore, morën pjesë ministrat e jashtëm të trembëdhjetë vendeve anëtare, ndërsa takimi u kryesua nga ministri i Jashtëm bullgar, Daniel Mitov.
Ministrja Edita Tahiri iu drejtua këtij samiti me një fjalim rasti ku ndër të tjerash theksoi se Republika e Kosovës, si anëtarja më e re e SEECP, respekton plotësisht parimet dhe vlerat e SEECP duke përfshirë marrëdhëniet e mira fqinjësore, integritetin territorial dhe pronësinë rajonale, sepse ne besojmë që kjo siguron një bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal në Evropën Juglindore.
Ne besojmë se promovimi dhe respektimi i vlerave të SEECP garanton një ardhmëri më të mirë në Evropën Juglindore dhe ardhmërinë tonë euroatlantike.
Ajo, tutje ka shtuar se Kosova beson se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal ri-fuqizojnë njëra tjetrën, por megjithatë ne mendojmë që fqinjësia e mirë duhet të promovohet më shumë dhe në të gjitha fushat.
Në frymën e bashkëpunimit rajonal, së bashku me aktivitetet e SEECP, Kosova merr pjesë në iniciativa tjera që kanë pasuruar dhe plotësuar më tej pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin rajonal.
Në harmoni me politikën e saj të jashtme, Kosova promovon marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe kjo shihet edhe nga angazhimi jonë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja, e cila kontribuon në fuqizimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Kosova mbetet e fokusuar në reformat evropiane dhe euroatlantike si themele për ndërtimin e shtetit tonë demokratik. Arritjet në reforma kanë sjellë për Kosovën dhe qytetarët e saj ndryshime të rëndësishme pozitive në punët e brendshme dhe ndërkombëtare. Si rezultat, Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim me BE-në në tetorin e kaluar, duke e nisur zyrtarisht rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kjo jo vetëm që ka qartësuar të ardhmen tonë euroatlantike por gjithashtu edhe përgjegjësinë tonë për të shtyrë përpara agjendën tonë të reformave.
Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka qenë një moment historik në rrugën zyrtare të Kosovës drejt integrimit Evropian. Kjo i ka ndihmuar Kosovës që ti rifreskoj motivimet për të shtyrë përpara reformat Evropiane dhe të vazhdojë qasjen e saj përgjegjëse në Dialogun e Brukselit. Vendimi i BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës paraqet një tjetër hap të rëndësishëm që Kosova e pret me meritë.
Në këtë drejtim, sundimi i ligjit dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik janë prioritet i lartë në agjendën tonë. Ne jemi të fokusuar në avancimin e reformave në drejtësi dhe administratë publike për të siguruar kompetencën dhe integritetin e institucioneve tona në realizimin e zhvillimit ekonomik dhe klimën e favorshme për investime.
Jemi të vetëdijshëm për kapacitetet potenciale njerëzore dhe burimet natyrore që ekzistojnë në rrethinën, i cili në këmbim na sjell mobilitetin dinamik dhe kërkon lidhje më të mirë në rajon.
Duke folur për lidhjet dhe duke ndjekur hapat e Konferencës së Ballkanit Perëndimor në Berlin në gusht të vitit 2014 dhe takimin ministror në Beograd në tetor të vitit 2014, Kosova ka organizuar me sukses takimin e Ministrave të Jashtëm dhe Ministrave të Transportit dhe Infrastrukturës së Ballkanit Perëndimor 6. Për më tepër, në Samitin e Vjenës në gusht të vitit 2015 në kuadër të formatit Ballkani Perëndimor 6, Kosova, si dëshmi të zotimit tonë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim të mirë, ka nënshkruar marrëveshjen në lidhje me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
E vetmja mënyrë për të përballuar sfidat dhe zhvillimet globale që ndikojnë tek në agjendat tona, mendojmë se arrihet përmes promovimit të bashkëpunimit dhe solidaritetit në rajon.
Lidhjet në rajon kanë kuptim të shumëfishtë në rastin e Ballkanit Perëndimor, duke pasur në mendje të kaluarën e trazuar dhe tragjeditë e luftës. Kjo përfshinë një gamë të gjerë të çështjeve duke filluar nga lidhjet diplomatike, ekonomike e infrastrukturore që janë në dobi të rajonit tonë dhe proceset për ndërtimin e paqes dhe pajtimin në përgjithësi.
Përderisa lidhjet mund të vijnë si nevojë e jona e brendshme për zhvillimin e vendeve tona dhe rajonit, ne duhet të pranojmë që sfidat e fundit sidomos ato të sigurisë, migrimeve masive dhe terrorizmit na bëjnë thirrje të qëndrojmë të lidhur dhe të bashkëpunojmë. Ne duhet të demonstrojmë ngritjen e përgjegjësisë tonë në nivelin e këtyre sfidave dhe të shprehim solidaritetin dhe dhembshurinë për ata që kanë ikur nga shtëpitë e tyre për të gjetur lirinë. Përvoja jonë në fatkeqësi të tilla është e freskët në mendjet dhe zemrat tona.
Ky forum sot duhet të jap një mesazh të qartë politik për solidaritetit dhe të përmbushjes të politikave prudente në adresimin e këtyre sfidave, përderisa ne duhet të përkujtomë partnerët evropian që kemi një mospërputhje ndërmjet kapaciteteve tona dhe kompleksitetit të këtyre sfidave.
Republika e Kosovës e konsideron bashkëpunimin rajonal si procesin më të rëndësishëm dhe thelbësor për të na sjellë më afër BE-së dhe NATO-s. Përmes pjesëmarrjes në SEECP, ne synojmë të fuqizojmë më tej besimin ndërmjet neve dhe avancimin e integrimit euroatlantik. Pjesëmarrja e Kosovës kontribuon në promovimin e potencialeve demokratike brenda dhe përtej Kosovës, kështu, unë dëshiroj të shpreh vlerësimin tonë për kolegët e shquar në këtë tavolinë për mbështetjen e Republikës së Kosovës në organizata të ndryshme rajonale.
Ne mbesim të angazhuar në mënyrë pro-aktive për arritjen e gjithëpërfshirjes në bashkëpunimin rajonal. Kosova zotohet që të punojë së bashku për largimin e perceptimeve tradicionale për rajonin tonë. Përpjekjet tona të përbashkëta mund ta transformojnë EJL në një rajon që gjeneron paqe, stabilitet dhe prosperitet. Ne besojmë që rajoni jonë ka potencial të dal si një fuqi nxitëse e re, dinamike dhe energjetike e Evropës dhe të bëhet një pikë fokale për projektet e infrastrukturës, transportit dhe energjisë.
Ne besojmë që qeverisja e mirë ekonomike do të shtrojë rrugën për më shumë investime të huaja në rajon. Në të vërtetë, bashkëpunimi më i mirë rajonal është thelbësor për fuqizimin e ekonomive tona, përmirësimin e komunikimit dhe lidhjes sonë dhe promovimin më tej të bashkëpunimit ndërmjet elitave, shoqërisë civile, të rinjve dhe qytetarëve. Rajoni jonë duhet të punojë ngushtë për zgjidhjen e të gjitha konflikteve që mbesin; ne nuk mund të humbim më shumë kohë.
Për tejkalimin e sfidave të sotme rajonale, ne gjithashtu kemi nevojë për përkrahjen e BE-së, një qasje strategjike që do të përshpejtojë integrimin Euro-Atlantik për të gjitha vendet në Evropën Juglindore. Në qendër të kësaj agjende duhet të jenë politikat që sigurojnë njohjen e ndërsjellë mes vendeve të Evropës Juglindore dhe gatishmëria që të zgjidhin të gjitha problemet e hapura bilaterale, theksoi ministrja Tahiri.
Në margjina të këtij samiti, ministrja Edita Tahiri është takuar me ministrin e jashtëm të Rumanisë, Lazar Comanescu, të cilin e falënderoi për përkrahjen e dhënë për anëtarësimin e Kosovës në SEECP dhe që kjo kishte ndodhur pikërisht në periudhën kur Rumania e kishte kryesimin e kësaj organizate, në këtë frymë, ministrja Tahiri kërkoi bashkëpunime tjera në të ardhmen. Po ashtu, ministrja Tahiri e takoi edhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ministrin e Jashtëm të Bosnje e Hercegovinës, Igor Crnadak, zëvendësministrin e jashtëm të Turqisë, Ali Naci Koru dhe zëvendësministrin e Jashtëm të Greqisë, Ioanis Amanatidis dhe të Moldavisë, Tudor Ulianovschi.
Në delegacionin e Republikës së Kosovës të udhëhequr nga ministrja, Edita Tahiri, morën pjesë edhe këshilltari i saj kryesor, Dren Zeka, Ambasadori i Kosovës në Sofje, Shpend Kallaba dhe drejtori për rajonin në MPJ, Fitim Gllareva.