11 Janar 2025

Tahiri: Duhet të fuqizohet roli i grave në proceset paqësore

Stamboll, 15 shkurt - Ministrja për dialog, njëherësh kryetare e Lobit Rajonal të Grave, Edita Tahiri, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të UNWomen që u mbajt në Stamboll të Turqisë, më 11 dhe 12 shkurt 2016. Në këtë takim morën pjesë përfaqësuese të qeverive dhe të shoqërisë civile, të vendeve nga Evropa dhe Azia Qendrore të cilat janë të angazhuara për agjendën e grave për paqe dhe siguri.

Kjo konferencë ndërkombëtare trajtoi temën “Avancimi i agjendës së grave për paqe dhe siguri nëpërmjet bashkëpunimit mes Evropës dhe Azisë Qendrore”, dhe si dokument bazë për diskutime shërbeu studimi global i OKB-së mbi progresin dhe sfidat e fuqizimit të grave, pesëmbëdhjetë vjet pas aprovimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rezolutave tjera vijuese për çështjen e fuqizimit të grave. Në mesin e folëseve ishin personalitete të rëndësishme, përfshirë këtu Ingibjorg Gisladottir, drejtoreshë e UNWomen për Evropë dhe Azinë Qendrore, Paivi Kannisto, drejtoreshë e UNWomen, Departamenti për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, OKB New York, Julia Kharashvili, nga grupi këshillëdhënës i Studimit Global nga Gjeorgjia, Edita Tahiri, ministre për dialog dhe kryetare e LRGEJL nga Kosova, Mara Marinaki, këshilltare kryesore për çështjet e grave në Shërbimin e jashtëm BE-së, Ann Sofie Stude, ambasadore për gratë, Ministria e Jashtme e Finlandës, Samra Filipovic Hagjiabdic, drejtoreshë e Agjencisë për Barazi Gjinore nga Bosnja e Hercegovina, si dhe përfaqësuese nga Turqia, Ukraina, Kirgistani, etj.

Ministrja për dialog Edita Tahiri në fjalën e saj ndër të tjera theksoi se gratë në gjithë botën janë duke luajtur një rol gjithnjë e më të madh për ndërtimin e paqes dhe sigurisë për mbarë njerëzimin. Roli i grave duhet të çmohet si një vlerë strategjike, sepse ato përfaqësojnë gjysmën e botës, dhe duke marrë parasysh fuqinë e tyre duhet të rritet numri i grave në procese paqësore dhe sidomos në negociatat paqësore. Ajo tha se për këtë qëllim duhet të angazhohet drejtpërdrejtë OKB dhe gjitha shtetet për të përmbushur obligimet që dalin nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si ajo 1325 dhe shtatë të tjerat vijuese. “Sot kur kanë kaluar mbi pesëmbëdhjetë vjet nga Rezoluta 1325, ne njohim dhe vlerësojmë progresin për fuqizimin e grave, por po ashtu dëshirojmë të theksojmë se ky progres nuk është ende i mjaftueshëm. Gratë kanë bërë shumë për shtetet dhe shoqërinë, por pyetja është se a po bëjnë mjaft shtetet dhe shoqëria për gratë”, tha ministrja Tahiri.

Duke folur për historinë e saj në negociatat për paqe në shumë faza para dhe pas luftës në Kosovë, ajo tha se negociatat paqësore të cilat kanë sjellë përfundimin e luftës dhe gjenocidit në Kosovë kanë qenë më të vështira se sa negociatat për fqinjësi të mirë me ish-okupatorin në të cilat ajo është e angazhuar si kryenegociatore në dialogun e Brukselit. Ajo nënvizoi se vet fakti se ajo ka qenë dhe mbetet e vetmja grua negociatore në gjithë rajonin, tregon qartë se sa pak hapësirë u jepet grave në bisedimet paqësore. Prandaj, duhet të fuqizohet roli i grave në procese paqësore në të gjitha nivelet, global, rajonal dhe nacional. Tahiri më tej shtoi se lufta për liri është shumë e vështirë, por e mira është se e bënë së bashku me popullin tënd, ndërsa paqen duhet të bësh me armikun dhe kjo paqe mund të arrihet vetëm pasi që drejtësia vendoset në vend. “Në rastin e Kosovës, një fqinjësi në paqe midis Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm pas njohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia. Jam e bindur që rezultatet e prekshme që janë arritur nga dialogu i Brukselit do të rrumbullakohen me njohjen reciproke mes dy shteteve, si kusht themelor për pranimin e dyja shteteve në BE”, tha ministrja Tahiri.

Duke folur në cilësinë e Kryetares së Lobit Rajonal të Grave (RWLSEE), Edita Tahiri theksoi se Lobi Rajonal i Grave ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vetëdijesimin dhe fuqizimin e rolit të grave në vendimmarrje, procese paqësore dhe të sigurisë në frymën e rezolutave të OKB-së. “Lobi rajonal i grave ka qenë mbështetës dhe promotor i dialogut të Brukselit dhe bisedimeve të Vjenës si dhe ka promovuar dialogun ndëretnik në gjithë vendet e rajonit. RWLSEE është një shembull i mirë i bashkëpunimit rajonal dhe ne jemi të gatshme ta ndajmë përvojën tonë me gratë e vendeve të Azisë qendrore, sidomos në aspektet e paqe ndërtimit dhe sigurisë së qëndrueshme. Ne kemi nevojë për përkrahje më të madhe edhe nga Bashkimi Evropian, duke qenë se jemi organizata e vetme rajonale që bashkon gra të profilit të lartë politik dhe të shoqërisë civile nga shtatë vende të rajonit”, tha ministrja Tahiri. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)