Sulmet ajrore, vrasin 553 militantë të IS
Damask, 23 tetor - Aktivistë të të drejtave të njeriut në Siri, tregojnë se prej se ka filluar fushata e sulmeve ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë vrarë 553 militantë islamik dhe 32 civilë.
Observatori sirian për të drejtat e njeriut me bazë në Britani, ka thënë sot, se shumica e të vrarëve, 464 prej tyre janë militantë të Shtetit Islamik (IS).
Sulmet ajrore në Siri, po ashtu kanë vrarë 57 anëtarë të Al Nusra, degë e Al Kaidës.
Më 22 tetor, Parlamenti i rajonit kurd në Irak, ka miratuar propozimin për dërgimin e trupave kurde irakiane në Kobani të Sirisë, për të ndihmuar kurdët atje të cilët po luftojnë me militantët e IS.
Në fillim të kësaj jave, ushtria amerikane ka paralajmëruar se militantët e IS, vazhdojnë të jenë kërcënim për Kobanin, por luftëtarët kurdë kanë nën kontroll pjesën më të madhe të vendit.