Sudani po e shqyrton njohjen e pavarësisë së Kosovës
New York, 25 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua sot me Ministrin e Punëve të Jashtme të Sudanit Jugor, Barnaba Marial Benjamin.
Presidentja Jahjaga e njoftoi ministrin Benjamin për të arriturat në Kosovë dhe procesin e konsolidimit ndërkombëtar të vendit.
Ajo tha se Kosova që prej pavarësimit të saj në vitin 2008 është pranuar nga 108 vende të botës dhe ajo sot është anëtare e FMN, Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim dhe synon anëtarësimin në të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, posaçërisht në OKB.
Presidentja Jahjaga tha se Pavarësia e Kosovës është legjitimuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe sot është shtet që promovon paqen dhe stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë me të gjitha vendet.
Presidentja Jahjaga tha se është me rëndësi njohja nga Sudani Jugor dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira ndërshtetërore.
Ministri i Jashtëm i Sudanit Jugor, Barnaba Marial Benjamin, i vlerësoi të arriturat e Kosovës dhe posaçërisht përparimi në dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Ai tha se Sudani Jugor po e shqyrton me seriozitet njohjen e pavarësisë dhe do të përcjellë të gjitha procedurat për ta bërë këtë.