Steinmeier: Evropa po ballafaqohet me kërcënimin më serioz të paqes
Berlin, 2 janar - Gjermania është e gatshme që të udhëheqë fqinjët e saj në kohë të turbullta, tha ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, me rastin e marrjes së kryesimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE).
Ai theksoi se Evropa po përballet me një kërcënim shumë serioz për paqen dhe sigurinë. \"Ne jemi të ballafaquar ndoshta me kërcënimin më serioz për paqen dhe sigurinë në Evropë që nga fundi i Luftës së Ftohtë\", tha Steinmeier.
Sipas tij, prioritet i OSBE-së do të jetë zgjidhja paqësore e konfliktit në Ukrainë dhe premtoi se do të rikthejë \"besimin e humbur brenda Evropës\".
\"Vetëm atëherë do të jetë e mundur për të rikthyer rendin e stabilitetit të sigurisë në Evropë\", tha Steinmeier.