Stefanoviç ka marr mbështetje për nisjen e dialogut për veriun
Beograd, 6 korrik - Kryenegociatori serb, Borislav Stefanoviç ka deklaruar se ka mbështetjen se ndërkombëtarëve për të nisur dialogun për veriun e Kosovës.
Sipas tij në takimin e fundit që ka zhvilluar në Beograd me Zëvendësndihmësin e Sekretarit amerikan të shtetit, Philip Reeker, nuk është biseduar konkretisht për Veriun, por për vazhdimin e dialogut, temat dhe zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura.
Megjithatë, sipas tij, te komuniteti ndërkombëtar ka një pajtim që të hapet për diskutim edhe çështja e Veriut të Kosovës.
Ka një dakortësi se veriu i Kosovës është një problem kyç dhe se në këtë aspekt duhet bashkëpunuar me Prishtinën dhe mendoj se ka gjasa që këto gjera të vështira të rregullohen, ka thënë Stefanoviç.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës të enjten nuk kanë komentuar zhvillimet që priten në raport me bisedimet me Serbinë.
Sipas tyre, javën e ardhshme Kosovën pritet ta vizitojnë zyrtarë të lartë ndërkombëtarë dhe vetëm atëherë do të mund të dihet më mirë fati i vazhdimit të dialogut.
Ndërkaq, ish-shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni mendon se Kosova duhet të ketë qëndrim parimor që dialog duhet të ketë gjithmonë, përfshi edhe Serbinë, por vetëm në cilësinë e dy shteteve të barabarta.
Dialogu siç është zhvilluar deri më tani, sipas Hysenit, ka qenë jo i strukturuar mirë dhe se pala kosovare nuk ka qenë pjesë e barabartë me vetë faktin se nuk ka prezantuar vendin si Republikë e Kosovës.
Ndërsa kritikon formën e dialogut të zhvilluar deri më tani, Skënder Hyseni thotë se axhenda e ardhshme e bisedimeve është çështje e palëve se si i kuptojnë dhe si futen në proces.
Ndërsa në Beograd, çështja e veriut shihet si e pashmangshme për t`u trajtuar në tavolinën e bisedimeve, Hyseni mendon se Kosova tashmë e ka një zgjidhje edhe për këtë problem, por atë duhet zbatuar në praktikë e që njihet si zbatim i Planit të Presidentit Ahtisaari.
Çështja e veriut do të mund të zgjidhej në mënyrë të mrekullueshme me një seriozitet më të madh të Qeverisë duke e zbatuar pakon Ahtisaari në gjithë territorin e Kosovës. Qeveria duhet në rend të parë që në veri të bisedojë me komunitetin serb. Kurse për rregullimin e brendshëm të Kosovës, qeveria nuk do të duhej të bisedonte me askënd, thekson Hyseni.
Ndërkaq, sa i përket pozicionit serb në bisedimet me Kosovën, Stefanoviç, në anën tjetër, thotë se i takon Qeverisë dhe Presidentit të ri serb që të përcaktojnë për mënyrën si si do të zhvillohen bisedimet.
Sipas tij, dialogu po kalon në një dimension të ri, pasi po hapen edhe tema që prekin në statusin e Kosovës. Jo vetëm kush do të bisedojë, por edhe çfarë temash do të provojë t`i zgjidhë në dialog, marrë parasysh se dy temat e para janë energjia elektrike dhe telekomi. Por, padyshim që në të ardhmen do të jetë edhe veriu i Kosovës, thekson Stefanoviç.
Pas një viti bisedimesh dhe arritjes së pesë marrëveshjeve të prezantuara në formën e konkluzioneve, Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në këtë proces i ka ftuar tashmë palët të përgatiten për vazhdimin e bisedimeve, por duke i dhënë fillimisht kohë Serbisë deri në formimin e qeverisë së re.
Sa i përket axhendës dhe temave të ardhshme të bisedimeve, zyrtarët evropianë në vazhdimësi kanë deklaruar se të gjithat do të sqarohen në bashkëbisedim me palët e përfshira.