Statusi dhe kufijtë e Kosovës janë çështje të pakthyeshme
Tiranë, 1 korrik - Ministri i Jashtem i Shqipërisë Ilir Meta, lidhur me aktivizimin e idesë për ndarje të Kosovës apo shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, ka thënë së statusi i Kosovës dhe kufijtë e saj janë çështje të mbyllura përfundimisht dhe të pakthyeshme.
"Së pari dua të rikonfirmoj se Shqipëria mbështet fuqishëm shtetin e pavarur e sovran të Kosovës dhe integritetin e tij territorial. Statusi i Kosovës dhe kufijtë e saj janë çështje të mbyllura përfundimisht dhe të pakthyeshme", ka thënë Meta.
Idetë për ndarje të Kosovës apo shkëmbim territoresh sipas tij përbëjnë një rrezik serioz për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin tonë e më gjerë.
"Shpreh bindjen se rruga për realizimin e aspiratës sonë të përbashkët evropiane dhe euroatlantike kalon vetëm përmes respektimit të plotë të kufijve ekzistues, tërësisë territoriale të njëri-tjetrit, si dhe përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal", është shprehur ministri Meta.