Sot nis takimi dy-ditor i G7-ës
Drezden, 7 qershor - Sot dhe nesër, kryetarët e shteteve e të qeverive të 7 vendeve më të industrializuara të botës mblidhen në Drezden te Gjermanisë për të diskutuar mbi sfidat globale më urgjente.
Pjesëmarrësit e Samitit përveç çështjeve ekonomike, do të diskutojnë për politikën e jashtme, sigurinë, zhvillimin, energjinë, mbrojtjen e detit, mjedisin, shëndetin, varfërinë dhe Ebola.
Gjithashtu do të diskutohet për konferencën mbi ndryshimet klimatike që do të mbahet në dhjetor të këtij viti në Paris, si dhe standardet në tregti, të drejtat e grave, zhvillimet e fundit në Ukrainë, Irak dhe Siri, aktivitetet ushtarake të DAESH (ISIL), si dhe negociatat bërthamore me Iranin.
Pritet që liderët e vendeve të G7 që marrin pjesë në Samit, të mbajnë një seri takimesh dypalëshe. Me rastin e Samitit do të merren masa të gjera të sigurisë, në kuadër të të cilave do të angazhohen 25 mijë policë.
Rreth ndërtesës së pallatit Elma, ku do të takohen udhëheqësit e shtatë vendeve të industrializuara, Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe SHBA-ve, në gjatësi prej 16 kilometrash është vendosur një rrip sigurimi.
Përveç kësaj, policia në hyrje dhe dalje të qytetit ka marrë masa të shumta të sigurisë, duke bërë verifikimin e identitetit të kalimtarëve. Gjithashtu, zona e sipërpërmendur është në vëzhgim të vazhdueshëm të helikopterëve.
Sipas të dhënave të fundit, Samitin e liderëve të vendeve anëtare të G7 do të ndjekin rreth tre mijë gazetarë nga e gjithë bota. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Bavarisë, Oliver Platzer ka konfirmuar se 25,000 oficerë policie do të angazhohen gjatë mbajtjes së Samitit.
Ai vuri në dukje se me ndihmën e telit të lartë, të vendosur rreth pallatit do të parandalohen sulmet e mundshme me gurë.
Ai theksoi se krerët e shteteve që marrin pjesë në Samitin e planifikuar do të transferohen me helikopter nga Mynih në Krun, ku do të mbahet Samiti. Ai shtoi se priten protesta, ndërsa deri më tani kanë pranuar tre kërkesa për të protestuar gjatë Samitit.
Në samit do të marrin pjesë liderët e vendeve të G7, si dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.