Shqipëria pro hetimit të trafikimit të organeve nga EULEX-i
Prishtinë, 10 maj - Parlamenti i Republikës së Shqipërisë ka miratuar me konsensus të plotë, 127 vota për dhe asnjë kundër, ligjin që i njeh EULEX-it në Kosovë autoritetin për të zhvilluar hetime edhe në Shqipëri, lidhur me akuzat e politikanit zviceran, njëkohësisht raportues në Këshillin e Evropës, Dick Marty, për dyshimet për trafikim organesh dhe ekzistencë të varrezave masive në territorin shqiptar.
Përpara votimit, deputeti demokrat Viktor Gumi, në cilësinë e raportuesit të projektligjit në Kuvend, ka deklaruar se drafti i propozuar në qeveri ka aprovimin e të gjithë aktoreve, përfshirë këtu dhe ata politikë, duke paralajmëruar kështu miratimin unanim të tij, raportojnë mediat e Tiranës.
Sipas medieve, projektligji për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën hetimore speciale të EULEX-it, u fut me procedurë të përshpejtuar në agjendën e punimeve të Kuvendit, një javë prej miratimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Marty i referohet periudhës 1998-1999, duke pretenduar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, gjatë periudhës së konfliktit, ka mbajtur brenda territorit të Shqipërisë civilë me kombësi serbe, të cilëve pas vrasjes u janë tregtuar organet.
Qeveria shqiptare dhe aktorët politikë të të dyja krahëve janë shprehur të hapur për hetim ndërkombëtar, ndonëse janë të bindur në pavërtetësinë e këtyre akuzave.