Shpresa në arritjen marrëveshjes nga Eurogrupi për Greqinë
Romë, 18 shkurt - Kryeministri italian, Mario Monti,kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe kryeministri grek, Lucas Papademos shpresojnë në arritjen e një marrëveshjeje nga Eurogrupi për Greqinë, sipas një komunikate zyrtare italiane.
Me iniciativë të Mario Montit dje u zhvillua një bisedë telefonike mes tre zyrtarëve të lartë.
Merkel do të zhvillonte sot një vizitë në Romë, por ajo e anuloi udhëtimin për shkak të dorëheqjes së presidentit gjerman, Christian Wulff.
\"Në fund të kësaj bisede, ku u përmendën detaje dhe u ndërmor me një frymë konstruktive, tre pjesëmarrësit shprehën besimin se një marrëveshje për Greqinë do të arrihet të hënën në Eurogrup\", deklaroi presidenca e Këshillit në një komunikatë.
Ministrat e Finacave të zonës euro do të mblidhen të hënën në Bruksel për të shqyrtuar nëse janë përmbushur kushtet për zhbllokimin e një ndihme për Greqinë.