SHBA përshëndeti marrëveshjen Kosovë - Serbi
Beograd, 4 dhjetor - Ambasadorja amerikane në Serbi, Mary Warlick, tha se Shtetet e Bashkuara përshëndesin përparimin në dialogun ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe presin hapa të mëtejshem në këto bisedime.
Shpresojmë se gjatë ditëve dhe javëve që vijnë do të bëhet përparim shtesë në marrëveshje dhe zbatimin e tyre dhe Serbia mund të vazhdojë me hapa drejt anëtarësimit në BE, u tha Mary Warlick, gazetarëve në Kuvendin e Serbisë, në Beograd.
Më tej ajo theksoi se e përshëndesim marrëveshjen për dialogun ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe e inkurajojmë vazhdimin e përparimit në dialog për shumë çështje.
Sipas saj, është në interesin e të dy popujve që të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Serbisë e Kosovës.
Duke u shprehur për zhvillimet në veri, ambasadorja Mary Warlick, tha se ata dëshirojnë të shohin më tepër paqe në veri të Kosovës, kërkojnë gjithashtu heqjen e barrikadave, që bllokojnë qasjen e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, në mënyrë që ata të mund të kryejnë punën e tyre.
Arritja e një marrëveshjeje mes Edita Tahirit dhe Borisllav Stefanoviçit nuk do të garantonte heqjen e barrikadave në veri të Kosovës- shkruajnë mediat kosovare.
Refuzimi i kryetarëve ilegalë të komunave në veri të Kosovës për zbatimin e marrëveshjes eventuale do të bënte të pamundur jetësimin e saj dhe kthimin e normalitetit në rrugët e veriut.