SHBA përkujtojnë 14 vjetorin e sulmeve të terroristëve
Washintgon, 11 shtator - Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot përkujtojn 14 vjetorin e sulmeve të terroristëve ë Kullat Binjake në New York, i kryer më 11 shtator 2001.
Me dhjetëra mijëra njerëz pritet të mblidhen në mbrëmje në pjesën e katit zero në New York, për të shënuar 11 shtatorin, sulmin terrorist mbi Shtetet e Bashkuara.
Pjesa e mëparshme e Qendrës Botërore Tregtare, tani është një shesh publik dhe muze.
Përvjetori do të shënohet me tingëllimat e këmbanave dhe duke lexuar emrat e gati 3 mijë personave që humbën jetën nga sulmi terrorist i Al-Qaedas.
Presidenti Barak Obama, do ta shënojë këtë përvjetor, me një vizitë në një bazë ushtarake në Maryland, përderisa Sekretari i Mbrojtjes, Ash Carter, do ti bashkëngjitet zyrtarëve të tjerë, në një përkujtim në Pentagon.
Në të gjithë Amerikën do të mbahen aktivitete tjera për të shënuar këtë ngjarje.
Ky sulm ishte kryer nga një grup prej 19 vetash rrëmbyes, islamistë radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.
Mbi 3 mijë njerëz kanë humbur jetën kur rrëmbyesit përplasën aeroplanët mbi kullat binjake në Qendrën Botërore Tregtare, në New York, mbi ndërtesën e Pentagonit në Washington dhe në një fushë në shtetin Pennsylvania.
Në mesin e viktimave që humbën jetën ishin shtetas të më tepër se 70 vendeve dhe në mesin e tyre edhe tre shqiptaro-amerikanë.
Ndërkohë që edhe në Prishtinë me rastin e kësaj dite shoqata \"Miqtë e Amerikës\", në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe disa shkolla publike do të zhvillojë aktivitete për të përkujtuar përvjetorin e sulmit terrorist mbi kullat binjake në New York.
Me këtë rast Garda e Nderit e Policisë së Kosovës, do ta ulë në gjysmë shtizë flamurin e SHBA-së te shtatorja e presidentit Bill Clinton në Prishtinë.